Sondazh

Protesta e Berishës, si u soll policia?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Nga paragjykimi te suksesi/ Vajzat që po thyejnë stereotipet në arsimin profesional

schedule14:34 - 26 Prill, 2026

schedule 14:34 - 26 Prill, 2026

SHQIPËRI- Për shumë vajza, zgjedhja e profesionit dhe rruga drejt pavarësisë nuk ka qenë e lehtë.

Mes paragjykimeve dhe stereotipeve gjinore, ato shpesh janë detyruar të punojnë dyfish për të provuar veten. 34-vjeçarja Mirjeta Kotini e ka nisur punën e saj të parë në moshën 17-vjeçare si kamariere, ndërsa njëkohësisht ndiqte edhe shkollën profesionale për hoteleri-turizëm.

Në fillimet e saj për të, vështirësia më e madhe ka qenë opinioni i njerëzve dhe qëndrimi i familjes.



Vështirësia ka qenë opinioni i njerëzve, kur fillova në 2009 si kamariere, gjyshi im ishte shumë fanatik. Më thoshte: “Do e lësh këtë punë dhe nuk ke për ta bërë më.” Por kisha atë dëshirën që do punoja për veten time. Nuk më foli për një kohë shumë të gjatë. Kur e pa që po rritesha nga ana profesionale, por edhe personale, filloi të zbutej pak nga pak dhe u bë mbështetja ime më e madhe.

Mirjeta thotë se në atë kohë nuk kishte shumë njohuri për arsimin profesional, por zgjedhja fillimisht erdhi si dëshirë e prindërve për t’i dhënë një profesion. Me kalimin e kohës, ajo u kthye në pasion. Sot ajo punon si menaxhere në shërbimin e mirëmbajtjes së një biznesi në kryeqytet, ndërsa thotë se do ia sugjeronte edhe vajzës së saj 10-vjeçe këtë profesion.

“Kam mbaru gjimnazin hoteleri-turizëm, më pas administrim biznesi, dhe master Hoteleri-turizëm. Arsyeja që zgjodha këtë shkollë ishte dëshira e mamasë time, më pas u bë edhe dëshira ime. Nuk është se ishte shumë e njohur, por ajo pjesa e prindërve që të na jepnin një profesion. Më pas duke parë shkollën dhe praktikat, ndryshoi ky mendim. Nuk do e ndryshoja aspak, madje vajza ime sot që është 10 vjeçe, kur sheh pasionin që unë kam për këtë profesion, thotë: dua të shërbej dhe unë në hoteleri.”, u shpreh ajo

Ndryshe nga Mirjeta, 19-vjeçarja Gresa Prenga është ende në rrugën e formimit profesional. Ajo ndjek gjimnazin profesional për hoteleri-turizëm dhe e ka të qartë drejtimin e saj: kuzhinën. Pasioni i saj ka lindur që në fëmijëri.

Rreth moshës 6 vjeçe shkoja te gjyshërit, me ata ingredientët bëja një lëmsh, ata nuk thonin asgjë. Fillova ta kisha një pasion për kuzhinën, krijova një vetëbesim. Shikoja video të ndryshme… Pavarësisht gjithë këtyre, eksperimentoja, lexoja, studioja…

Gresa thotë se arsimi profesional i ka dhënë mundësi të qartë për të ndjekur ëndrrën e saj, edhe pse fillimisht kishte pasiguri për zgjedhjen. Sot ajo synon të vazhdojë edhe studimet e larta në të njëjtën fushë dhe ëndërron të bëhet shefe kuzhine.

“Aspirimet e mia janë të profilizohem akoma më shumë në kuzhinë. Përqindja më e madhe në kuzhinë janë meshkuj, u besohet më shumë, por një ditë besoj se edhe unë do bëhem një shefe kuzhine shumë e mirë”, tha ajo.

Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë të rinj po priren drejt zgjedhjeve të arsimit profesional, edhe pse më herët, shpeshherë kjo zgjedhje është parë më shumë për djemtë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!