Gjimnazistët i kthehen mësimit të alternuar, karantinë për udhëtarët nga RMV dhe Greqia

schedule13:57 - 19 Prill, 2021

schedule 13:57 - 19 Prill, 2021

Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi sot se duke nisur nga nesër, qytetarët që futen në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia do duhet që të qëndrojnë në karantinë për dy javë. Shkak për vendosjen e karantinës janë bërë shifrat shqetësuese në këto dy vende fqinje.

Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli tha po ashtu se si rezultat i përmirësimit të shifrave, gjimnazistët e viteve të para dhe të dytë, mund të fillojnë skenarin e kthimit në shkolla.

Karantinimi i detyruar për udhëtarët nga Maqedonia e Veriut dhe Greqi do të jetë në fuqi deri me tre maj.

“Padyshim që ka filluar të ndihet edhe efekti i vaksinimit masiv. Ajo që vihet re në rajon situata paraqitet ndryshe, ndryshe nga vendi ynë ku ka përmirësim të shifrave, në fqinjët tanë, në Maqedoninë e Veriut numri rasteve janë shtuar, por edhe i jetëve të humbura, e kjo duket në grafikët e paraqitura. Sfida e Komitetit tonë është përmirësimi i indikatorëve, duke parashikuar faktorët, dhe duke parashikuar këto faktorë të çojmë në masa.

Mos respektimi nga subjektet elektorale mund të ndikojë në rritjen e rasteve. Po ashtu, festa e Pashkëve do të sjellë edhe ardhje nga vendet e terja. Eksperienca tregon se vitin e kaluar, në Pashkë u rritën rastet, dhe numri i jetëve të humbura. Duke pasur situatën lokale, ku vendin e parë për numër rastesh e zë Gjirokastra. Mendojmë që, duke filluar nga dita e nesërme qëndrimi në karantinë 2 javore për personat që vijnë nga Maqedonia dhe Greqia deri më 3 maj. Nxënësit e viteve të parë dhe të dyta që kanë qenë në mësim online, mund të fillojnë edhe mësimin në klasë, pra të futen në skenarin e kombinuar.” sb/abcnews.al/