Të gjithë ata që do duan të marrin patentën pas një Marsit do t’i nënshtrohen një testi të ri. Pyetësori është ripunuar dhe Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor e ka publikuar në faqen zyrtare të internetit.
Duke filluar nga 1 Marsi testet për marrjen e patentës do të ndryshojnë. Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor ka publikuar pyetësorin e ripunuar për lejet e drejtimit të kategorisë A1, A2, B1 dhe B.
“Duke filluar nga data 01.03.2018 e në vazhdim në të gjitha Drejtoritë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në testimin e kandidatëve për lejedrejtimit, do të aplikohen testet e reja të formuluara sipas strukturës së miratur me Udhëzimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës nr.682/4, datë 01.04.2016”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Për të gjitha këto kategori leje drejtimi, testet do të përmbajnë 40 pyetje. Limiti i gabimeve te lejuara do të jetë 4, normë kjo që mbetet e njëjtë.
E njëjtë do të vijojë të jetë edhe tarifa e testit. Për kategoritë A1, A2 dhe AM do të mbetet 3 mijë lekë të reja, ndërsa për kategoritë B dhe B1, 4 mijë e 500 lekë të reja./abcnews.al