Nga lidhja te mashtrimi i biznesmenes në Tiranë, kërkohet burg për “mikun” nga Kosova: 135 mijë € në bursë

schedule10:06 - 25 Prill, 2022

schedule 10:06 - 25 Prill, 2022

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg për 30 vjeçarin Qerim Krasniqi, i cili akuzohet për veprën penale të mashtrimit. Vitin e kaluar ai është njohur me Marjana.C, pronare e një hoteli të vogël ku kishte qëndruar si klient. Fillimisht 30 vjeçari ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë me pronaren e hotelit dhe më pas i ka kërkuar para.

Gazetarja e Abc Xhensila Kodra mëson se gruaja i ka dhënë fillimisht 50 mijë euro, pastaj 20 mijë euro, derisa sipas saj në total u bënë 135 mijë euro që i riu nga Kosova nuk ia kishte kthyer më.

Marjana thotë se paratë i ka pasur në bankë pasi kishte shitur një shtëpi. Pasi kanë kaluar disa kohë, pronarja e lokalit i ka kërkuar 30 vjeçarit që t’i kthejë paratë, por ai nxirrte justifikime nga më të ndryshmet. “Jam me COVID, jam me oskigjeno- terapi, mi ka bllokuar banka, etj”, kanë qenë disa nga justifikimet.

Në shtator të 2021 Qerimi ka ndërprerë kontaktet me të. Atëhere ajo ka bërë denoncim në polici. Pas shumë përpjekjesh i ka rivënë kontaktet me të riun nga Kosova në përpjekje për të marrë paratë e saj. Në janar të 2022 ai i ka shkëputur përsëri kontaktet me Marjanën. Prokuroria e ka shpallur në kërkim dhe ai është ndaluar teksa u paraqit në kufi.

Lexo edhe: “Mysafiri” nga Kosova zhvat “investitorët” në Shqipëri, mashtrimi me Call Centera: Si përfitoi 135 mijë euro

Para hetuesve Qerimi ka thënë që Marjanës i ka marrë shumën prej 80 mijë eurosh të cilën e ka investuar në kriptomonedha, por e ka humbur. Ai flet për një shtetas nga Maqedonia e Veriut, por tregon vetëm emrin, jo të dhëna që të mund ta identifikojnë. Sot në orën 11:00 ai pritet të dalë para gjykatës për masë sigurie.

Dyshohet se nëpërmjet mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit, Krasniqi ka përfituar shuma të konsiderueshme parash, me anë të mashtrimit, nga persona të ndryshëm. Paratë ai dyshohet se i ka marrë me pretekstet për të investuar në Call Centera.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!