Me finalen e madhe të UEFA Champions League mes Manchester City e Inter, vetëm 19 ditë larg UEFA ka përcaktuar ditën e sotme stafin e arbitrave që do të vendosin “rregull” në sfidën më të rëndësishme të sezonin 2022-2023.
“Organi” më i lartë i futbollit në Evropë ka përcaktuar si gjyqtar kryesor 42-vjeçarin, Szymon Marciniak, i cili ka një eksperiencë 12-vjeçare në arbitrimin e ndeshjeve ndërkombëtare, ku momenti më kulminant padyshim që është arbitrimi i finales së madhe të Kupës së Botës, mes Argjentinës e Francës, dhjetorin e shkuar në Katar.
Polaku e ka për herë të parë rolin e arbitrit kryesor në një finale të Champions League, teksa ka marrë pjesë në finalen e vitit 2018 mes Liverpool e Real Madrid, si gjyqtar i katërt, ndërsa deri më tani ka arbitruar plot 8 sfida të Champions League, që nga faza e grupeve, me të fundit që ishte ndeshja e kthimit në “Etihad” mes Manchester City e Real Madrid në gjysmë-finalet e kompeticionit.
Ndërkaq, Marciniak do të ketë si asistentë bashkatdhetarët e tij Pawel Sokolnicki dhe Tomasz Listkiewicz, si ndihmës arbitri rezervë do të jetë rumuni, Vasile Florin Marinescu, ndërsa rumuni Istvan Kovacs do të jetë gjyqtari i katërt, ndërsa “dhoma” e VAR-it i është caktuar polakëve Tomasz Kwiatowski e Bartosz Frankowski dhe gjermani Marco Fritz. /i.m /abcnews.al