Protestës së Partisë Demokratike në orën 19.00 do t’i bashkohen një numër i madh qytetarësh dhe demokratësh nga Qarku i Kukësit.
Mësohet se, vetëm nga qyteti i Kukësit dhe zonat përreth janë nisur rreth 2000 anëtarë, simpatizantë dhe qytetarë me autobus dhe makina private. Kurse, nga Hasi janë 800 demokratë që kanë udhëtuar me makinat e tyre në drejtim të Tiranës dhe afro 1,200 mbështetës, anëtarë dhe qytetarë janë nisur nga Tropoja për të protestuar në Tiranë.
Nga ana tjetër, nga qarku i Beratit janë nisur drejt Tiranës rreth 2300 demokratë e qytetarë. Kryetari i PD Berat, Shyqo Dura është shprehur se demokratët dhe qytetarët beratas do të protestojmë sot “kundër qeverisë së narko-shtetit.”
Organizimi dhe grumbullimi i demokratëve në të gjithë qarkun e Beratit është bërë nga të gjitha strukturat e degëve të Partisë Demokratike në qytetet: Berat, Kuçovë, Dimal, Skrapar e Poliçan.
Protestuesit janë nisur drejt Tiranës me mjete private, ku vetëm nga dega e PD-së Berat janë nisur 120 automjete të konfirmuara nga strukturat. Në rang qarku, drejt protestës në Tiranë janë nisur rreth 1350 protestues nga Berati,350 nga Kuçova,260 nga Dimali,220 nga Poliçani dhe 120 nga Skrapari.
Nga ana e degës së PD-së Berat konfirmohet se nisja drejt protestës së sotme në Tiranë u krye me mjete private (ndryshe nga herët e tjera) pasi pronarët e autobusëve janë vënë nën presion me penalitete të ndryshme deri në heqje licence nëse do të transportonin protestues drejt tubimit të thirrur sot në Tiranë nga PD-ja.
Kryetari i degës së PD-së Berat, Shyqo Dura, duke shpjeguar mënyrën e organizimit të demokratëve drejt protestës në Tiranë, ka theksuar se, përveç demokratëve dhe simpatizantëve të PD-së protestës do ti bashkohen edhe qindra qytetarë beratas që nuk kanë lidhje me partitë politike por që janë të indinjuar nga keq-qeverisja.
“Strukturat e degës së Partisë Demokratike Berat, grupseksionet, kryesia dhe sekretariatet janë organizuar për nisjen e demokratëve beratas drejt protestës së thirrur në Tiranë në orën 19:00. 120 automjete private janë nisur të organizuar nga drejtuesit e çdo rajoni, ndërkohë që me mjete private janë nisur nga Berati drejt protestës në Tiranë edhe qindra qytetarë beratas, të cilët të indinjuar nga keq-qeverisja i janë bashkuar sot opozitës. Ne demokratët dhe qytetarët beratas do të protestojmë sot kundër kësaj qeverie të narko-shtetit, me qëllimin e vetëm të largimit të saj nga pushteti,” tha Dura. /abcnews.al/