SHKODËR- Davide Malinaric, nga Genova, prej vitit 2016 jeton në mënyrë të përhershme në Shkodër, pas një lidhjeje të gjatë me veriun e Shqipërisë që nisi që në vitin 2008.
Ai tregon se fillimisht erdhi si vizitor, por natyra, historia dhe mikpritja e njerëzve e bindën të qëndrojë përgjithmonë.
Malinaric është angazhuar edhe në turizëm, duke krijuar një iniciativë që promovon potencialin e veriut, të cilin e cilëson “fantastik dhe magjik”. Një moment kyç për të ishte zbulimi i Liqenit të Komanit në vitin 2009, që sipas tij shënoi fillimin e një historie të veçantë me Shqipërinë.
Ai vlerëson veçanërisht marrëdhënien me banorët e Shkodrës, duke theksuar se përshëndetja dhe buzëqeshja e përditshme e njerëzve janë arsyeja kryesore pse vendosi të jetojë aty.
Edhe pse prej vitesh nuk është kthyer në qytetin e tij të lindjes, Malinaric shprehet se tashmë ndihet plotësisht shkodran, duke përmendur edhe lidhjen simbolike mes Shkodrës dhe Genovës përmes futbollit dhe ngjyrave kuqeblu të skuadrave respektive.
Intervista:
Artur Nura : Përshëndetje, mund të prezantoheni?
Davide Malinaric : Quhem Davide Malinaric. Kam ardhur për herë të parë në Shkodër më 28 dhjetor 2008.
Artur Nura : Prej sa kohësh jetoni këtu?
Davide Malinaric : Pas shumë viteve duke vizituar veriun e Shqipërisë, që nga viti 2016 jetoj këtu në mënyrë të përhershme në Shkodër.
Artur Nura : Keni krijuar edhe një shoqatë turistike?
Davide Malinaric : Po, kemi filluar punën tonë në turizëm dhe gjatë rrugëtimit tonë kuptuam që mungonte diçka, sepse veriu i Shqipërisë është fantastik, është diçka magjike.
Artur Nura : Pse zgjodhët pikërisht Shkodrën?
Davide Malinaric : Kur erdha këtu, i ftuar nga një mik, fillova të zbuloj historinë dhe natyrën përreth. Në vitin 2009 zbulova Liqenin e Komanit dhe prej aty filloi një histori e mrekullueshme: jo vetëm natyra, por edhe kultura, tradita dhe njerëzit.
Artur Nura : Çfarë ju bindi të qëndroni?
Davide Malinaric : Kjo më bindi të kthehesha herë pas here, derisa vendosa të jetoj këtu. Është një zgjedhje që do ta bëja një mijë herë.
Artur Nura : Tashmë jeni shkodran?
Davide Malinaric : Po.
Artur Nura : Si është marrëdhënia me njerëzit?
Davide Malinaric : Është gjëja më e bukur. Kur del nga shtëpia dhe fqinji të përshëndet me buzëqeshje. Kjo ishte gjëja e parë që më bëri përshtypje: njerëzit që në mëngjes të thonë “mirëmëngjes”, “si je”. Janë gjëra që të hyjnë në shpirt dhe të përfshijnë. Është e mrekullueshme, dhe për këtë arsye vendosa të qëndroj këtu.
Artur Nura : Ju jeni nga Genova, apo jo?
Davide Malinaric : Po, jam nga Genova.
Artur Nura : Sa herë në vit shkoni në Genova?
Davide Malinaric : Tani janë pothuajse 6 vite që nuk kam shkuar më.
Artur Nura : Pra tashmë ndiheni shkodran?
Davide Malinaric : Po, ndihem mirë këtu. Të flasim për sportin dhe lidhjen qe ka mes Shkodrës dhe Genovës! Futbolli i bashkon këto dy qytete: fanella e Vllaznisë, skuadra e Shkodrës, është kuqe-blu si ajo e Genoves, që është skuadra më e vjetër në Itali.


