Nga 1 Gushti, zjarrfikësit në gatishmëri

schedule16:35 - 25 Korrik, 2018

schedule 16:35 - 25 Korrik, 2018

Nga 1 Gushti deri në 15 Shtator të gjithë efektivët zjarrfikës do të kalojnë në gatishmëri të plotë për të përballuar situatën e vështirë të zjarreve që u përball vendi ynë vitin e kaluar. Sipas drejtorit të Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, një pjesë e mirë flakëve u shkaktuan nga dora e njeriut.

Për të mos u gjendur në të njëjtën sitatë të vështirë si ajo që ndodhi në Greqi, ku shumë qytetarë humbën jetën nga zjarri i përmasave të mëdha që ra në periferi të Athinës, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri në vendin tonë ka pezulluar të gjitha lejet për punonjësit e tyre. Këtë fakt e pohon shefi i zjarrfikësve në kryeqytet Shkëlqim Goxhaj, i cili shtoi se nga 1 Gushti deri më 15 Shtator të gjithë do të kalojnë në gatishmëri të plotë.

“Duke filluar nga data 1 Gusht ne do të kalojmë në gatishmëri të plotë, gjë që do të thotë se do i ndalojmë edhe lejet për efektivët e shërbimeve zjarrfikës në mënyrë që i tërë efektivi të jetë në brendësi të territorit të Tiranës. Nëse do të kërkohet për raste emergjente ndërhyrja e punonjësve që nuk janë në shërbim atëherë ata do të vendosen menjëherë në dispozicion të shërbimit. Pra periudha nga 1 Gushti deri më 15 Shtator kalojmë në gatishmëri të plotë ”, tha Goxhaj.

Në rolin e drejtuesit Goxhaj thekson se situata e zjarreve ka qenë shumë shqetësuese, pasi një pjesë e mirë e tyre u shkaktuan nga dora e njeriut.

“Kjo nuk do të thotë që në territorin tonë nuk do të ketë zjarre në pyje dhe në kullota, sepse ju e patë vetë që vitin e kaluar ka qenë një numër i jashtëzakonshëm zjarresh. Vendi jonë nuk ka temperatura të tilla që zjarri të shkaktohet natyrshëm pa dorën e njeriut, por këto herë vijnë të qëllimshme e herë nga pakujdesia. Kështu që ne jemi në kontakt me këta drejtues të njësive administrative që jo vetëm të mbajnë në komunikim komunitetin, por gjithashtu të na njoftojnë edhe ne për çdo situatë”, tha shefi i zjarrfikësve të Tiranës.

Shqipëria nuk ka të njëjtin rrezik si Greqia përsa i përket situates së zjarrjeve, pasi ka ndryshime si në kushtet klimaterike ashtu edhe në reliev.

“Ngjarja që ka ndodhur në Greqi mendoj që shtysë kryesore që zjarri ka pasur një shpejtësi të jashtëzakonshme kanë qenë edhe rrymat detare, prandaj dhe aty punonjësit dhe qytetarët janë gjendur në befasi mund të them në këtë zjarr. Sepse periudha dhe koha që po kalojmë në territorin e Ballkanit nuk është se është e ngarkuar me zjarre në këto momente. Kështu që aty ka qenë çdo gjë befasi, rrymat detare kanë  ndikuar që ndodhi kjo tragjedi”, tha Goxhaj.

Aktualisht në Tiranë janë të instaluar 6 stacione zjarrfikëse, ndërsa në 2019-n priten të shtohen edhe dy të tjera, pasi mesatarisht çdo ditë në kryeqytet ka 10 zjarre përfshi edhe djegiet e automjeteve./abcnews.al