Neymar është shumë pranë kalimit tek Barcelona. Paris Sainr Germain ka pranuar transferimin e brazilianit, por mbetet edhe një pengesë për t’u kaluar.
E ka bërë veten që ta përzënë nga kjo skuadër dhe duket se po ia arrin qëllimit. Me afrimin e 2 Shtatorit, afatit të fundit të transferimeve, mesa shihet do të realizohet edhe transferimi i Neymarit në Barcelonë.
Lajmet nga Franca e Spanja janë që drejtuesit e Paris SG do të pranojnë ofertën e fundit të katalanasve, prej 170 milionë eurosh, biznes në të cilin do të përfshihet edhe sulmuesi Usman Dembele.
“Neymar do të shkojë tek Barcelona nëse Dembele pranon që të kalojë tek Paris SG, ndërsa pritet edhe “drita jeshile” nga pronarët e klubit në Katar”, shkruan “Daily Mail”.
“Operacioni Dembele për të marrë Neymarin, – titullon “Marka”, – duhet bindur që të shkojë në Paris”.
Një ditë më parë, “Marka” shkruante se Neymar i kishte dhënë goditjen përfundimtare qëndrimit të tij në Francë, kur i kishte deklaruar drejtorit sportiv të PSG-së, Leonardo, se dëshira e tij e vetme ishte që të luante për Barcelonën.
Nuk dihet nëse Dembele do të pranojë të ndryshojë skuadër, pra për të kaluar në një ligë më të dobët si ajo franceze, gjithsesi ai vetë është francez, dhe Paris SG mund ta ndihmojë që të mos largohet nga kombëtarja.
Përsa i përket drejtuesve të PSG-së, ata e dinë se kur një lojtar nuk dëshiron të luajë për një skuadër, është diçka negative që ta mbash me patjetër. Neymar luajti më parë për Barcelonën nga viti 2013 deri në 2017, kur u largua në formë proteste, diçka për të cilën është penduar.
Gjithsesi, nuk dihet sesa nevojë ka skuadra katalanase për brazilianin, duke pasur Mesin, Suarezin, Dembelenë e Griezmann-in, dhe rritja e konkurrencës mund të sjellë edhe konflikte./ABC News Albania 24/7