Nesër, 23 qershor, pritet të zhvillohet Samiti i radhës i BE-së në Bruksel.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe lideri serb Aleksandër Vuçiç nuk i janë përgjigjur ende ftesës për të marrë pjesë në Samitin e BE-së.
Në samitin e 23 dhe 24 qershorit, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të shqyrtojnë aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë si edhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor për tu anëtarësuar në BE.
Sipas Euroactiv mësohet se Franca ka propozuar krijimin e një “Komuniteti Politik Evropian”.
Presidenti Francez, Emanuel Macron ka folur për krijimin e një platforme për koordinimin politik për vendet evropiane në të gjithë kontinentin.
Platforma mund të përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor, vendet e asociuara të Partneritetit tonë Lindor, vendet e EFTA-s dhe të gjitha vendet e tjera evropiane me të cilat Bashkimi Europian ka marrëdhënie të ngushta.
“Bashkimi Evropian shpreh mbështetjen e plotë dhe të padyshimtë për perspektivën e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor dhe bën ftesë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, thuhet në draftin e dokumentit që do të prezantohet në samit.
Nga ky takim do t’i bëhet ftesë Komisionit Evropian, përfaqësuesit të Lartë dhe Këshillit që “të avancojnë më tej integrimin gradual mes Bashkimit Evropian dhe rajonit gjatë procesit të zgjerimit në mënyrën reversibile dhe bazuar në merita”.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia pritet të vendosin sot nëse do të marrin pjesë në samitin e BE-së, ku do të merret vendim për çeljen e negociatave.
Samiti do të mbahet në Bruksel më datat 23 dhe 24 qershor, ndërsa nuk ka pasur ende një deklaratë të qartë nga tre vendet e rajonit, nëse do të jenë të pranishme.
Kryeministri Edi Rama deklaroi një ditë më parë në një postim në rrjetet sociale se pasi bisedoi me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, u arrit në përfundimin se do të ketë një tjetër “Jo, më fal!” nga samiti.
Bullgaria ka bllokuar anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me veton ndaj kësaj të fundit.
Ndërkohë, BE nuk i ka trajtuar të ndara dy vendet në procesin e integrimit, me argumentin se do të ishte më mirë për stabilitetin rajonal nëse dy fqinjët mund të përparonin së bashku.
BE do të marrë gjithashtu në konsideratë dhënien e statusit kandidat për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë në samitin e Brukselit.
/abcnews.al/