Nga Peqini, ku ishte me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në qendrën e re shëndetësore të Pajovës, kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla akuzoi Presidentin e Republikës, Ilir Meta se bllokoi buxhetin në një moment shumë delikat për vendin, referuar situatës me koronavirusin. Megjithatë, tha Balla, nesër do të kalojë buxhetin në Kuvend, pra do të rrëzohet dekreti i Presidentit.
“Të enjten miratojmë përfundimisht buxhetin. E kemi miratuar prej disa javësh, por përballemi me një lojë politike djallëzore të Presidentit të Republikës, që nuk është më President i Republikës, por një aktor i rëndomtë i opozitës rrugore, që pengoi me kaq javë hyrjen në fuqi të buxhetit, ku kemi planifikuar gjithë investimin tonë buxhetor për sigurimin e vaksinës dhe të luash qoftë edhe më një orë, sot është kundër interesit të këtij vendi dhe jo më me disa javë. Por ky është Presidenti që kemi, një prej aktorëve të opozitës. Kemi planifikuar edhe 12 mln dollarë për mjekimin falas të të sëmurëve me covid” tha ai./ db/Abcnews.al