Nesër grupimi i qendrës së djathtë takim në Presidencë

schedule15:17 - 29 Prill, 2019

schedule 15:17 - 29 Prill, 2019

Me nismëtarë partitë aleate të demokratëve, takimi në selinë presidenciale vjen pas atij me kreun e misionit të OSBE/ODIHR, Berndt Borchardt ambasadorit të BE-së Luigi Soreca dhe të ngarkuarës me punë Leyla Moses-Ones, pas skadimit të afatit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor si vija e kuqe për regjistrimin e partive politike në garën elektorale të 30 Qershorit.

Presidenti Ilir Meta do të përfshihet kështu për herë të parë zyrtarisht në situatën politike të krijuar pas djegies së mandateve të opozitës më 21 Shkurt.

Kërkesa e partive opozitare aleate të demokratëve ndaj kreut të shtetit, është pikërisht ulja në tryezën e dialogut të mazhorancës dhe opozitës, për të arritur një marrëveshje politike për zgjidhjen e krizës.

Rasti i fundit kur partitë kundërshtare politike, drejtuar nga kryetarët e tyre kanë kaluar bashkarisht pragun e godinës presidenciale ishte viti 2017, kur presidenti i kohës Bujar Nishani, dështoi në arritjen e një marrëveshjeje politike mes opozitës dhe mazhorancës, ngërç i cili u zgjidh përmes marrëveshjes Rama – Basha të 17 Majit 2017./abcnews.al