Ambasadorja amerikanë Yuri Kim, në një intervistë të dhënë për gazetaren Anila Hoxha është shprehur ndër të tjera se nëse Sali Berisha merr drejtimin e Partisë Demokratike, SHBA do t’i ndërpresë marrëdhëniet me partinë.
I pyetur në konferencën e sotme për mediat ku deklaroi se do të rikthehet si kryeministër, nëse po i çon demokratët kundër SHBA-ve, ish-kryeministri tha se “Foltorja” nuk ka ngjallur vetëm shpresën e shqiptarëve, porse ka marrë mbështetje të madhe edhe në Evropë dhe SHBA.
“Së pari, më duhet të them se Foltorja ka zgjuar shpresa të mëdha në mbarë botën, dhe unë dua t’u informoj se kjo pritje që shihni në Shqipëri për Foltoren, nuk është më pak entuziaste në vendet mike. Nuk janë më të pakta përgëzimet që marr për këtë nismë shpëtimtare të pluralizmit vendet evropiane, por edhe nga nivele të larta të elitës në SHBA, në krahun republikan.”
Po ashtu, ish-kryeministri i kërkoi edhe një herë ambasadores që nëse ka prova kundër tij, t’i dërgoje në gjykatën e Parisit. Megjithatë, Berisha shtoi se miq të tij përtej Atlantikut e kanë parë dosjen, dhe në të sipas tij, nuk ka asgjë.
“Zonjës dhe cilitdo tjetër i them se nëse ka një provë, fakt të vetëm e ftoj t’i dërgojë në gjykatën në Paris. Shpreh kënaqësinë time të madhe, se miq, përfaqësues të vendeve mike, të elitës amerikane nuk pranojnë, nuk binden, madje e marrin thjesht si një hakmarrje politike deklaratën se kemi prova por nuk i themi. Kjo ka marrë fund. Ke prova, çoi para gjykatës.”
Kurse, i pyetur se çfarë do të bëjë nëse kryedemokrati Lulzim Basha nuk e njeh Kuvendin, ish-kryeministri tha se kush nuk njeh statutin e partisë, vetëpërjashton veten.
“Nuk dua të paragjykoj asgjë. Ai që nuk njeh statutin vetëpërjashton veten, del nga radhët e partisë sepse statuti është Kushtetuta. Pavarësisht deklaratave që janë bërë unë mendoj se çdo demokrat do të respektojë vullnetin e shumicës, do të respektojë statutin, përndryshe ata zgjedhin rrugën e vetëlargimit, zgjidhje që nuk ua këshilloj. Një nga ndryshimet themelore të statutit do të jetë edhe pranimi i fraksioneve.” /abcnews.al/

