Nepotizëm presidencial, Ivanka Trump në Lojërat Olimpike koreane

schedule22:41 - 6 Shkurt, 2018

schedule 22:41 - 6 Shkurt, 2018

Duket se presidenti Donald Trump nuk do t’ia dijë për protokollet zyrtare që përcaktojnë hierarkinë e përfaqësimit të Shteteve të Bashkuara në eventet ndërkombëtare. Kështu, në Lojrat Olimpike të Koresë së Jugut, delegacioni amerikan do të përfaqësohet edhe nga vajza e tij, Ivanka.

Ivanka Trump, vajza e presidentit të Shteteve të Bashkuara, do të udhëtojë në Korenë e Jugut për të ndjekur ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike Dimërore. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar për BBC-në se Vajza e Parë do të udhëheqë delegacionin amerikan, i cili mund të zhvillojë takime me përfaqësues të delegacionit koreano-verior.

Ka qenë vetë zëvendëspresidenti, Mike Pence, që ka deklaruar se, nuk përjashtohet mundësia për zhvillimin e këtyre takimeve. “Unë nuk kam kërkuar takime, por të shohim se ç’do të ndodhë”, ka thënë Pence për gazetarët. Zonja Trump shprehu entuziazmin e saj muajin e kaluar, kur përmes një postimi në Twitter njoftoi praninë e saj në Korenë e Jugut për të ndjekur Lojërat Olimpike, që nisin më 9 Shkurt.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, asaj iu kërkua nga Komiteti Olimpik që të ishte e pranishme bashkë me të atin, presidentin Donald Trump. Burimet konfidenciale të BBC-së, kujtojnë se Ivanka ka bashkëpunuar me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për organizimin e Lojërave Verore të vitit 2028 në Los Anxheles. Ndërkohë, zëvendëspresidenti Pence, që do të jetë kryetari de jure i delegacionit, do të takojë edhe gjeneralin amerikan në Korenë e Jugut, si dhe zyrtarë të tjerë diplomatikë dhe ushtarakë./abcnews.al