Bilanci i viktimave të konfirmuar në zonën mes Nepalit dhe Tibetit ka arritur mbi 600 të vdekur, ndërsa mbi 2400 persona rezultojnë ende të zhdukur. Megjithëse kërkimet vijojnë 4 ditë pas katastrofës së rëndë që goditi këtë vend aziatik, shpresat për të gjetur persona të gjallë nën baltën dhe rrënojat e shkatërrimit thuajse janë shuar. Familjet e të zhdukurve, përfshirë të paktën 517 shtetas të huaj, po presin lajme për ta. Por identifikimi i trupave të gjetur është një proces mjaft i vështirë.
Ekipet e emergjencës thonë se shiu dhe moti i keq po e vështirësojnë arritjen në disa nga zonat më të prekura. Por rreziku i një vale tjetër përmbytjeje nga Himalaja mbetet alarmi më i madh që shton frikën për thellimin e përmasave të kësaj tragjedie. Një liqen akullnajor i formuar nga uji i përmbytjes dhe mbetjet pranë kufirit Nepal-Tibet mund të dalë nga brigjet e tij dhe të godasë mbi banorët e luginës kufitare.
Kapacitetet e Nepalit, për t’i bërë ballë kësaj katastrofe janë shumë më të kufizuara. Megjithëse vendi ka nevojë për gjithçka, qeveria në Katmandu ka vendosur të mos pranojë ndihmat e ofruara nga vendet e tjera.
Sipas autoriteteve në Nepal, përvoja e tërmetit të vitit 2015 tregon se pranimi i ndihmës ndërkombëtare nuk është domosdoshmërisht zgjidhja më e mirë. Referuar asaj përvoje kur ekipet e shpëtimit nuk arritën dot të mbërrinin në zonat më të largëta, autoritetet e Nepalit janë të gatshme të presin ndihma financiare, por jo ekipe shpëtimi.
Banorët e zonës mbeten në emergjencë të thellë humanitare pas shkatërrimit total nga përmbytja katastrofale. Në zonat më të goditura po mbërrijnë kamionë me ndihma ushqimore dhe shëndetësore.

