Një debat për plehërimin e të mbjellave 5 ditë më parë, ka shkaktuar zemërimin e 80 vjeçarit Shefit Rrapaj duke kulmuar me vrasjen e gruas së tij dhe më pas vetes mesditën e së martës në Kuman. Një ditë pas ngjarjes së rëndë, është zbardhur dëshmia e djalit të çiftit i cili ishte kthyer në vendlindje vetëm dy javë më parë.
30 vjeçari deklaroi disa orë pas ngjarjes se kishte debatuar me të atin pasi ky i fundit kundërshtonte që i biri të merrte përgjegjësinë për punët në bujqësi. Konkretisht, 30 vjeçari kishte blerë pleh kimik disa ditë përpara ngjarjes dhe kishte plehëruar tokën pas shtëpisë ku i ati kishte mbjellë patate.
Por 80 vjeçari kishte kundërshtuar me pretendimin se nuk ishte e nevojshme dhe se i biri po bënte shpenzime të kota. Debati mes babait dhe të birit është mbyllur atë ditë por ka vazhduar mes burrit dhe gruas, me këtë të fundit që mbështeste të birin. Ditën e vrasjes, 30 vjeçari ishte larguar nga shtëpia në mëngjes për një konsultë mjekësore në poliklinikën e Fierit. Kur u kthye i gjeti prindërit të pajetë dhe të gjakosur brenda banesës.
“Isha për vizitë në Fier, kur u ktheva i gjeta të gjakosur brenda shtëpisë. Nuk dija çfarë të bëja, pësoja shok, ishte e tmerrshme. Nëna ishte e masakruar, gjaku kishte mbuluar dyshemenë. Lajmërova kushëririn në telefon dhe pastaj policinë”, mësohet të ketë thënë 30 vjeçari në polici.


