“Nëna ime modelja e parë nudo në pikturën shqiptare”, Kujtim Buza tregon si babai refuzoi ta publikonte

schedule11:56 - 16 Shkurt, 2023

schedule 11:56 - 16 Shkurt, 2023

Kur thuhet mbiemri Buza, mendja të shkon menjëherë te piktura shqiptare dhe historia që ata kanë shënjuar.

Abdurrahim Buza theu çdo tabu të kohës dhe pikturoi për herë të parë në pikturën shqiptare një modele nudo dhe për këtë zgjodhi gruan e tij.

Sot pas kaq shumë vitesh, Kujtimi, djali i tij, që po ashtu është një piktor i njohur duke trashëguar profesionin e të atit, ka rrëfyer si lindi kjo pikturë. Ai ka treguar për “Pas Mensnatës”, se babai nuk donte ta ekspozonte, por Kujtimi bëri të kundërtën dhe nga ai moment gjërat ndryshuan në pikturën shqiptare.

“Nudo është objekt mësimor, nudo nuk është një tekë e artistit për të punuar një femër apo mashkull të zhveshur. Nudo është një ngacmim dhe objekt shumë i rëndësishëm në modelimin e pikturës. Këtë ne e kemi bërë që në shkollë, fillimisht në lice me figurë sportisti dhe pastaj në Akademi, duke dal probleme të tjera më të rëndësishme në lëvizje.

Në ’35 u martuan, babai kishte vrullin e shkollës dhe kishte dëshirë të pikturonte gruan e tij. Mirëpo, te ne ishte traditë që gruan e pikturonin veshur me kostum Lunxhërie, Dropulli, gjeni një kostum që figura e gruas të ishte sa më bukur. Epo ranë dakord dhe im atë e bëri zhveshur, por në një pozicion dinjitoz, nuk e ekspozoi, e çau në disa pjesë dhe e la të flinte bashkë me pikurat e tjera. Ju luta, ashtu siç është gruaja jote, është nëna ime, pse të mos e ekspozojmë. Ajo është grua e emancipuar e një familje të madhe dhe nuk e merrnin për keq. Ishte një shembull i bukur i pikturës shqiptare, kështu që unë e ngjita atë, e ristaurova atëherë dhe e vendosa. Me ekspozitën që bëri Galeria e Arteve, titulluar “Eva”, mbas ’67 erdhi porosia të kthehet figura e sportistit, të kishte rroba banje. Sigurisht që piktorëve nuk i erdhi mirë, se kjo nuk ishte më nudo, ishte figurë sportisti, humbiste poetizmi. Ne kishim respekt për vajzat e emancipuara që bënin modelen, mirëpo që atëherë u mbyll”, rrëfeu ndër të tjera Buza./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!