Negociatat, Tsipras: Optimist për një rezultat pozitiv në Qershor

schedule11:57 - 18 Maj, 2018

schedule 11:57 - 18 Maj, 2018

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, është shprehur optimist se negociatat me Shqipërinë për hapësirën detare do të përmbyllen me rezultat pozitiv në Qershor. Megjithatë, ai nënvizoi se hapja e negociatave me Shqipërinë në samitin e BE-së nuk do të vendoset vetëm nga kjo çështje pasi disa vende anëtare janë skeptike.

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, me anë të një konference për shtyp ka komentuar zhvillimet e fundit në negociatat për çështjet e hapura me vendet fqinje. Shefi i qeverisë së Athinës shprehet shumë optimist sa i përket bisedimeve për ndarjen e hapësirës detare me autoritetet shqiptare.

Aleksis Tsipras: “Negociimi është shumë i vështirë. Duhet më shumë kohë. Me Shqipërinë po zgjidhim çështje që datojnë nga Lufta e Dytë Botërore. Kemi ende në fuqi Ligjin e Luftës, kemi temën e zonave ekonomike ekskluzive qe është shumë e rëndësishme dhe një sërë temash të tjera, mes tyre dhe të drejtat e minoritetit grek. Jemi në rrugë të mbarë. Jam shumë optimist, për të mos përdorur fjalën i sigurtë, që mund të kemi rezultat pozitiv në këto negociata deri në fund të Qershorit”.

Gjithashtu Tsipras flet edhe për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së. Kryeministri grek njofton se vendimi që do të merret në samitin e Qershorit nuk varet vetëm nga marrëveshja mes Tiranës dhe Athinës pasi sipas tij edhe shtete të tjera të Unionit nuk janë të bindur rreth mbështetjes së fillimit të negociatave.

Aleksis Tsipras: “Në rast se Shqipëria merr dritën jeshile për hapjen e negociatave nga BE, është një procedurë që nuk varet vetëm nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Greqinë. Kjo është një çështje e rajonit dhe më gjerë, e cila do të na mbajë dhe me shumë të angazhuar sa më shumë i afrohemi Samitit të Qershorit. Ka disa shtete që kanë vlerësim ndryshe ndaj kësaj”.

Ndërkohë, Shqipëria dhe Greqia prej disa muajsh kanë nisur zyrtarisht negociatat për zgjidhjen e çështjes së hapësirës detare. Aktualisht janë zhvilluar dy takime, njëri në Shqipëri dhe tjetri në Greqi. Dy ministrat e Jashtëm, që drejtojnë negociatat bashkë me ekipet e tyre, i kanë cilësuar takimet shumë pozitive./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!