Bisedimet për çeljen e negociatave me BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë ishin një përballje mes dy vendeve më të fuqishme brenda unionit, Gjermanisë dhe Francës dhe sfida u fitua nga kjo e fundit.
Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se shtyrja me të paktën 1 vit për negociatat erdhi për shkak se Franca dhe Holanda u përballën me Gjermaninë duke kërkuar më shumë reforma.
Por ky rezultat i papritur, nënvizon Reuters , pavarësisht mbështetjes së gjerë të Bashkimit Europian, tregoi këmbënguljen e Presidentit francez Emmanuel Macron për ta shtyrë vendimin pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian në Maj të vitit 2019, nga frika e shtimit të ndjenjave kundër emigracionit.
Po ashtu, shkruan Reuters, ky rezultat është një frenim i strategjisë së Gjermanisë dhe Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, për t’i ofruar Ballkanit Perëndimor perspektivën europiane, me qëllim parandalimin e influencës ruse në rjaon.
“Ishte një lindje e vështirë”, citohet deklarata e ministrit të Jashtëm gjerman, Mikael Rot, pas kompromisit të gjetur.
Reuters thekson se Macron mbron tezën e reformimit të vetë Bashkimit Europian, përpara se të mirëpresë anëtarë të tjerë.
Por agjencia thekson se shefi i Elizesë është më shumë i shqetësuar për rritjen e ndjenjës anti-emigrante, siç raportojnë diplomatë europianë në Paris dhe me këtë vendim ia arriti të shmangë fuqizimin e forcave populiste në Francë para zgjedhjeve të Majit.
Reuters citon vështirësitë e Rumanisë apo Bullgarisë pas anëtarësimit dhe thekson se Shqipëria e Maqedonia duhet të bëjnë më shumë në reformën gjyqësore dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, me qëllim që pas një tjetër raporti të Komisionit Europian në Qershor, qeveritë e vendeve anëtare të hapin zyrtarisht negociatat nga fundi i vitit tjetër.
Tv Klan