Më 14 korrik, në Bruksel, mbahet Konferenca e Ndërqeveritare e nëntë mes Shqipërisë dhe Bashkimi Europian. Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin e tij social “Facebook”, ku shprehet se Shqipëria nuk ndalet në aspiratën e saj për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane.
Përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë, kreu i qeverisë ka rreshtuar disa nga deklaratat e përhapura së fundmi, duke filluar nga ecuria e integrimit europian e deri te zhvillimet në aleancën e Atlantikut të Veriut, për të bërë një dallim të prerë mes retorikës politike dhe rezultateve konkrete të kabinetit të tij. Ku ka bërë të ditur se në datën 14 korrik Shqipëria hap 3 kapitujt e parë të negociatave.
“Thanë negociatat u bllokuan; thanë Samiti i NATOS u anullua; thanë qeveria u rrëzua; thanë ç’nuk thanë e gjë pa thënë s’do lenë, sepse puna e tyre janë llafet ndërsa FJALA JONË ËSHTË PUNA,” shkruan kryeministri Rama në postimin e tij.
Sipas Ramës, sulmet e njëpasnjëshme ndaj mazhorancës nuk janë gjë tjetër veçse një strategji e vjetër politike e bazuar te “llafet”, ndërsa ka theksuar se përgjigjja më e mirë e qeverisë ndaj këtyre akuzave mbetet vijimi i punëve dhe reformave të nisura.
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian (COREPER) miratoi sot Pozicionin e Përbashkët të Bashkimit Europian për mbylljen provizore të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë për Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”.
Mbyllja e Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë për të forcuar ekosistemin e kërkimit shkencor dhe inovacionit për zhvillim, për të rritur më tej investimet në dije dhe zhvillim teknologjik, avancimin me zbatimin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3), si një udhërrëfyes i transformimit të ekonomisë shqiptare drejt Tregut Unik Europian, si dhe për të thelluar integrimin në Hapësirën Europiane të Kërkimit.
Këto janë njëherësh dëshmi për përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim, si dhe për ndërtimin e ekonomisë konkurruese, të qëndrueshme dhe të orientuar drejt së ardhmes europiane.
Mbyllja e Kapitullit 26 “Arsimi dhe Kultura” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë në modernizimin e politikave arsimore, të orientuar drejt Hapësirës Europiane të Arsimit, promovimin e gjithëpërfshirjes dhe cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit dhe formimit profesional, mbështetjen e zhvillimit të rinisë dhe kulturën, si dhe progresin me përafrimin drejt objektivave europiane të arsimit.
Mbyllja e Kapitullit 30 “Marrëdhëniet me Jashtë” vlerëson punën dhe arritjet, me linjë-veprimi strategjik të Shqipërisë “partner i besueshëm i Bashkimit Europian”. Nëpërmjet përafrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare me politikën tregtare dhe pozicionin e Bashkimit Europian në marrëdhëniet me jashtë, Shqipëria dëshmon gatishmërinë dhe kontributin e saj në forcimin e rolit të Bashkimit Europian./abcnews.al



