28 ambasadorët e përhershëm të Bashkimit Europian u mblodhën sot në mëngjes në Luksemburg për të rishikuar çështjet urgjente para takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian. Një nga çështjet më të nxehta në tryezën e 28 ambasadorëve është vendimi për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Europian.
Ndërkohë që për Maqedoninë, pritet që ministrat e Jashtëm të japin dritën jeshile, por me disa kushtëzime, për Shqipërinë situata paraqitet më e komplikuar. Votimi i mocionit të Parlamentit të Holandës për moshapje të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, ka detyruar shtetet anëtare dhe presidencën bullgare të angazhohen në negociata për të evituar një skenar negativ për Shqipërinë.
Ndërkohë që ambasadori francez ka treguar në mëngjes, se Franca mbetet rreptësisht kundër, ambasadori holandez nuk e ka marrë fjalën për Shqipërinë, duke bërë të kuptohet se votimi i Parlamenti holandez është i qartë dhe nuk mund të neglizhohet. Ndërkohë, Gjermania është duke tentuar të bindë Francën për të ndryshuar qëndrimin ndaj Shqipërisë.
Nga ana e saj, përfaqësueseja e lartë e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së, Federica Mogherini, ka dhënë sërish njê sinjal inkurajmi për dy vendet para takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian mbi dosjen e mbrojtjes europiane në Luksemburg.
Federica Mogherini: “Rekomandimi i Komisionit Europian është hapje e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe me Tiranën. Ky proces është i bazuar në meritë, që do të thotë që kur ka proges, ky progres duhet të njihet, të inkurajohet edhe të shoqërohet, Shpresoj, që shtetet anëtare do të marrin vendimin e duhur. Ne shohim progres impresionues në Ballkan. U njoftuam me nënshrkimin e marrëveshjes për emrin e Maqedonisë 10 ditë më parë. Eshtë një moment historik që duhet mbështetur. Dje patëm një sesion shumë të mirë të dialogut të nivelit të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit. Dialogu po shkon në një drejtim inklurajues. Tani Bashkimi Europian duhet të jetë konsinstent me qëndrimin e tij.”
28 ambasadorët e përhershëm do mblidhen në 20:30 për të diskutuar sërish mbi versionet e fundit të formulimit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë. Çështje tjetër e nxehtë në tryezën e ambasadorëve të përhershëm është edhe diskutimi për Turqinë. Austria mund të bllokojë konkluzionet për zgjerimin për shkak të qëndrimit negativ mbi Turqinë. Nëse nuk arrihen konkluzione të martën 26 Qershor, vendimet për zgjerimin i kalojnë 28 liderëve të Bashkimit Europian në 28 dhe 29 Qershor./abcnews.al