Negociatat, Hahn: Çështje që lidhet me dinamikat e brendshme të Europës

schedule12:36 - 17 Tetor, 2019

schedule 12:36 - 17 Tetor, 2019

Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn pas takimit me kryeministrin Rama në Bruksel deklaroi se Shqipëria i ka përmbushur detyrimet e saj për çeljen e negociatave. Hahn u shpreh i bindur se për vendin tonë duhen hapur negociatat ndërkohë që nëse kjo gjë nuk ndodh komisioneri siguroi se kjo nuk do të jetë për shkak të dështimit të qeverisë apo Shqipërisë por për shkak të axhendës së Këshillit Europian. Edhe kryeministri Rama konfirmoi se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet duke kujtuar se qasja e Francës lidhet me kërkesën e saj për reformimin e Bashkimit Europian.

Vendimin që Këshilli Europian do të marrë në lidhje me çeljen e negociatave për Shqipërinë, Edi Rama do ta mësojë drejtpërdrejtë nga Brukseli. Komisioneri për Zgjerim Johahnes Hahn në takimin e zhvilluar 24 orë përpara vendimmarrjes finale të Këshillit e siguroi kreun e qeverisë se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet për çeljen e negociatave.

Pavarësisht vendimmarrjes, komisioneri nxiti qeverinë të mos ndërpresë rrugën e reformave. Garancinë e marrë nga komisioneri Hahn, Edi Rama dëshiroi ta nënvizoi për t’i treguar edhe opozitës shqiptare se në rast dështimi përgjegjësia nuk është e qeverisë së drejtuar prej tij.

Kryeministri garantoi se reformat e qeverisë do të vazhdojnë për të pasur një Shqipëri europiane, pavarësisht qasjeve të Brukselit, Londrës, Parisit, apo Berlinit./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!