Negociatat e Vjenës, marrëveshje e re apo luftë SHBA-Iran?

schedule11:19 - 19 Janar, 2022

schedule 11:19 - 19 Janar, 2022

Nga Djavad Salehi-Isfahani “Project Syndicate

Irani e mposhti nëntorin e vitit të kaluar Libanin me rezulatin 0-1 vetëm në fundin e lojës, në një ndeshje kualifikuese për botërorin e këtij viti që mbahet në Katar. Në mediat sociale, iranianët skeptikë po bëheshin gati të fajësonin për humbjen e pritshme të kombëtares së tyre, udhëheqësit e vijës së ashpër të Iranit.

Ata supozonin se elita donte që iranianët të humbnin ndeshjen, për të kënaqur milicinë libaneze që përkrahet shumë nga Irani, Hezbollahun. Por në 4 minutat shtesë, Irani shënoi 2 dhe e siguroi fitoren. Tani iranianët po luajnë “minutat e tyre shtesë” edhe në negociatat e Vjenës që synojnë ringjalljen e marrëveshjes e vitit 2015 mbi programin bërthamorë të Iranit.

Sipas homologëve të tyre amerikanë, udhëheqësit iranianë nuk po tregojnë emergjencën e nevojshme për të gjetur një konsensus të ri. Por ishte ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ai që u tërhoq në mënyrë të njëanshme në vitin 2018 nga Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA, siç njihet zyrtarisht marrëveshja e 2015-ës), duke rivendosur sanksione të ashpra ekonomike ndaj Iranit.

Pavarësisht goditjes së fortë nga akti i Trump, Irani mbeti pjesë e marrëveshjes edhe për 14 muajt që pasuan, përpara se të rriste nivelin e pasurimit bërthamor përtej kufijve të përcaktuar nga JCPOA.

Pas 6 javësh bisedimesh në Vjenë, vetëm raportet për një përparim të ngadaltë, ndihmuan në një rikuperim prej 10 për qind të vlerës së monedhën iraniane, rialit, që kishte rënë në nivelet më të ulëta në fund të vitit të kaluar kur negociatat filluan shumë keq.

Por mbeten të pakta perspektivat që palët të arrijnë një marrëveshje, përpara se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa të humbasin durimin me marshimin e shpejtë të Iranit drejt pasurimit të uranimit, që gjë e çon shumë afër prodhimit të armëve të para bërthamore.

Dështimi i negociatave në Vjenë, do të rrezikonte paqen në mbarë Lindjen e Mesme. Izraeli po përpiqet që ta ngadalësojë me çdo kusht ecurinë e programit bërthamor të Iranit, e cilaa kërcënon drejtpërdrejt hegjemoninë e tij rajonale. Por aktet e sabotimit dhe vrasjeve që kryen periodikisht Izraeli, mund të shkaktojnë shpërthimin e një konflikti më të gjerë rajonal, i cili mund të përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara

Nevoja e Iranit për lehtësimin e sanksioneve ndërkombëtare është po aq urgjente, sepse presidenti i ri i linjës së ashpër, Ebrahim Raisi, ka nevojë të mbajë premtimin e tij për rritje ekonomike. Që nga zgjedhja e Raisit në qershorin e vitit 2021, inflacioni vjetor ka ngecur në nivelin 44 për qind.

Në mungesë të të ardhurave të reja nga eksportet e naftës, administrata e tij nuk do të jetë në gjendje që të ri-ngrejë ekonominë, pa e rritur më tej inflacionin. Iranianët, standardi i jetesës së të cilëve ka rënë në nivelin e 20 viteve më parë, janë duke pritur me nervozizëm lajme të mira nga Vjena.

Më në veçanti, rreziku që Kombet e Bashkuara të rivendosin sanksionet e veta të para arritjes së JCPOA – duke e shtërnguar kësisoj rrethimin ekonomik të Iranit – varet mbi presidencën e Raisit si Shpata e Damokleut.

Por, për arsye praktike dhe ideologjike, ekipi i Raisit shkoi në Vjenë me kërkesa të reja, duke lënë mënjanë kuadrin mbi të cilin ishte dakordësuar paraardhësi i tij, Hassan Rouhani, qershorin e vitit të kaluar përpara ndërprerjes së bisedimeve. Mbështetësit më fanatikë të regjimit, besojnë se marrëveshja e vitit 2015, kishte 2 të meta themelore.

E meta e parë, e ekspozuar edhe nga Donald Trump, ishte asimetria në kostot përkatëse të paguara nga Irani dhe SHBA. Për më tepër, SHBA-ja ka refuzuar të zotohet që nëse i ribashkohet JCPOA-së, nuk do të dalë më nga kjo marrëveshje në të ardhmen.

Fakti që zyrtarët amerikanë përsërisin një listë të gjatë arsyesh të mundshme për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Iranit – përfshirë shkeljen e të drejtave të njeriut në vend, arsenalin e raketave balistike dhe mbështetjen ndaj milicive të ndryshme në rajon – e bën edhe më të vështirë arritjen e një kompromisi.

E meta e dytë e marrëveshjes së 2015-ës, u bë shumë e dukshme që gjatë presidencës së Barack Obamës, që edhe nënshkroi marrëveshjen në emër të SHBA-së. Kompanitë e huaja ngurruan të tregtojnë apo investojnë në Iran, nga frika se SHBA-ja mund t’i ndjekë penalisht dhe t’i gjobisë ato, bazuar tek sanksionet e vendosura me herët dhe që nuk kanë lidhje me programin bërthamor.

Duke mos parë në horizont një zgjidhje të qartë për këto probleme, Irani është përpjekur që ta rrisë koston e çdo daljeje të ardhshme të SHBA-së nga marrëveshja e programit të saj bërthamor. Teherani i nervozoi negociatorët amerikanë duke i lënë të prisnin për 5 muaj (nga qershori në nëntor 2021), përpara se të fillonte raundi aktual i bisedimeve të Vjenës.

Po ashtu refuzoi të ulte delegacionin e saj në të njëjtën sallë me amerikanët. Nga ana tjetër ka vazhduar të rrisë pasurimin e uraniumit, duke e reduktuar kohën që i nevojitet për të prodhuar një bombë bërthamore, nga 1 vit nën marrëveshjen e JCPOA në disa javë sot.

Është e dyshimtë nëse këto hapa do të prodhojnë një marrëveshje më të favorshme për Republikën Islamike. Në çdo rast, disa zyrtarë të vijës së ashpër besojnë se vuajtjet ekonomike të Iranit janë në thelb të brendshme, dhe si të tilla mund të kurohen pavarësisht sanksioneve të SHBA-së.

Problemet e varësisë së vendi nga importi dhe kriza bankare, argumentojnë ata, duhet që të ndreqen përpara se të hyjnë në negociatat e reja, pasi një qëndrueshmëri më e madhe ekonomike do të ishte për Iranin shumë e dobishme, sesa një marrëveshje e arritur nga një pozicion më i dobët.

Kjo është dhe logjika pas “ekonomisë së rezistencës”, si dhe premtimit të Raisit në fushatën zgjedhore për të mos e lidhur fatin ekonomik të vendit me marrëveshjen JCPOA. Figura të tjera të vijës së ashpër së regjimit teokratik, mendojnë se një fuqi rajonale në rritje, me vlera islame shumë rigoroze, do të përfitonte shumë pak nga angazhimi me Perëndimin.

Ata e shohin ngecjen aktuale të negociatave në Vjenë si një mundësi për ta ri-orientuar ekonominë e Iranit drejt Lindjes, duke përfshirë marrëveshjet e partneritetit afatgjatë me Kinën dhe Rusinë. Por premtimet ambicioze të Raisi për vende të reja pune dhe strehim, do të jenë të pamundura të mbahen në rast se nuk do arrihet të rimëkëmbet ekonomia.

Gjendja e vështirë e qeverisë, pasqyrohet edhe në projekt-buxhetin e e viteve 2022-2023, që supozon se sanksionet e SHBA-së do të vazhdojnë, me tkurrjen ekonomike më të madhe ndër vitet e fundit. Ndërsa shpenzimet totale të qeverisë parashikohen të rriten me 9.6 për qind, inflacioni ka gjasa të arrijë në 40 për qind këtë vit.

Pagat pritet të rriten me 10 për qind, duke sjellë një rënie me 30 për qind të të ardhurave reale të më shumë se 3 milionë punonjësve të sektorit publik. Ndërkohë edhe 6 milionë pensionistë, mund të përballen me një humbje të të ardhurave reale.

Prandaj kjo është një javë e rrallë kur mësuesit apo pensionistët nuk protestojnë kundër masave shtrënguese ekonomike. Ndoshta frika më e madhe e Raisit, është se mos përsërit dështimin e ish-presidentit Mahmoud Ahmadinejad, një koleg i tij konservator, edhe ai i vijës së ashpër, neglizhenca e të cilit në lidhje me shqetësimet ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Iranit, bëri që OKB-ja të vendoste sanksione ndaj Iranit në vitin 2010.

Dëshira për të shmangur rikthimin e tyre, mund të jetë nxitja më e fortë e Raisit për të arritur një kompromis në Vjenë. Nën këtë sfond, deklarata e fundit e liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, se dialogu me armikun nuk përbën dorëzim, mund të jetë vetëm sinjali se negociatorët iranianë, duhet të arrijnë një marrëveshje në këto pak javë që kanë mbetur nga skadimi i afatit, kur ata duhet të luajnë me “topin” në fushë, përpara fërshëllimës së bilbilit që do sinjalizojë fundin e lojës. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Shënim:Djavad Salehi-Isfahani, profesor i ekonomisë në Virginia Tech, dhe studiues në Forumin e Kërkimeve Ekonomike në Kajro.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!