Negociatat e koalicionit qeverisës në Gjermani do të fillojnë në fund të javës

schedule17:51 - 19 Tetor, 2021

schedule 17:51 - 19 Tetor, 2021

Bashkëkryetarja e Partisë së Gjelbër, Annalena Baerbock pret që negociatat e koalicionit mes partisë së saj dhe socialdemokratëve dhe FDP -së të fillojnë në fund të javës. “Do të fillojnë tani në fund të javës,” tha ajo në emisionin e përbashkët të mëngjesit të ARD dhe ZDF-së. Ajo tha se do të ngrihen “shumë” grupe pune për t’u marrë me çështje teknike të veçanta. Megjithatë, ajo nuk dha një datë të saktë për negociatat.

Baerbock-u këmbënguli gjithashtu se fillimisht duhet të diskutohet për përmbajtjen e një koalicioni të mundshëm me ngjyrat e semaforit përpara se të diskutohet ndarja e ministrive. Kjo deklaratë bëhet pas kërkesave publike të politikanëve të FDP-së që kryetari i partisë Christian Lindner të bëhet ministër i Financave. Sidoqoftë, edhe politikanët e Gjelbër gjithashtu e kanë kërkuar këtë ministri për partinë e tyre. Baerbock-u nguli këmbë për ngritjen e një ministrie të klimës dhe shtoi: “Nuk mund të ndodhë që një ministri të bëjë përpjekje dhe dhjetë të punojnë kundër saj. Duhet të jetë një qeveri miqësore ndaj klimës.”

Baerbock-u dhe Walter-Borjans në favor të marrjes së kredive

Baerbock-u kundërshtoi përshtypjen se ishin kryesisht liberalët e FDP-së ata që kishin imponuar vullnetin e tyre në konsultime. Ajo tha se ishte e qartë se të Gjelbrit kishin rezultat shumë më të mirë se FDP në zgjedhje. Partia e tyre kishte çelur rrugën drejt arritjes së objektivit të mbrojtjes së klimës me 1.5 gradë. Ligji për braktisjen e qymyrit do të ridiskutohet dhe braktisja e qymyrit do të bëhet me herët. Përveç kësaj, në konsultime është rënë dakord për reforma të tilla si rishikimi i ligjit të shtetësisë ishin rënë dakord.

Për të qenë në gjendje të financojë planet në një koalicion të mundshëm, Baerbock-u kërkoi lejimin e huamarrjes pavarësisht nga frena e borxheve. “Ne besojmë se na duhen 50 miliardë euro në vit për të trajtuar detyrat e së ardhmes dhe për të modernizuar vendin, tha liderja e Gjelbër. Çdo kompani mund të marrë një hua nga banka kur prishet makina për të prodhuar produktin,tha ajo, “Kështu ndodh në politikën serioze financiare.”

Më herët, kryetari i SPD, Norbert Walter-Borjans ishte shprehur gjithashtu në favor të financimit të pjesshëm me hua. “Financat duhet të mbështeten, në mënyrë të qartë,” tha ai për gazetat e grupit mediatik Funke. “Në rastin e investimeve për të ardhmen, justifikohet edhe financimi i pjesshëm me hua.” Frena e borxhit “definitivisht ka hapësirë” për këtë. Përveç kësaj, ekzistojnë mundësi të institucioneve shtetërore, siç janë bankat e zhvillimit, në nivel shtetëror, tha kryetari i SPD.

Financat pritet të kthehen në mollë sherri

Pas SPD dhe të Gjelbërve, edhe FDP votoi të hënën në favor të fillimit të negociatave për të formuar qeverinë e parë të semaforit në nivel federate. Deri tani, SPD-ja, të Gjelbrit dhe FDP-ja kishin zhvilluar konsultime për të konstatuar përbashkësi dhe dallime. Financat konsiderohen si një nga pikat kryesore të negociatave të ardhshme.

Sipas dokumentit të konsultimit të palëve, investimet e nevojshme për të ardhmen do të bëhen të mundshme “brenda kuadrit të frenës së borxhit kushtetues”. Megjithatë, deri tani është lënë e hapur nga të tre palët, se si do të financohen investimet e nevojshme./ DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!