Në terren për të kontrolluar 2/3 e votave të pakicave, operacioni “Lista Srpska” në Kosovë

schedule21:22 - 3 Mars, 2021

schedule 21:22 - 3 Mars, 2021

Nga Linda Karadaku

Ndërkohë që politika shqiptare në Kosovë bënte betejën e përhershme me veten dhe njëri-tjetrin, Beogradi po realizonte në terren një operacion të mirëmenduar për të kontrolluar dy të tretat e votave të pakicave, që do të thoshte de facto, kontroll mbi çdo ligj të rëndësishëm që kërkon votën e dy të tretës së pakicave sipas kushtetutës.

Kuvendi i Kosovës me 120 deputetë, ka me kushtetutë, 20 vende të rezervuara për pakicat. Partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin serb, kanë 10 vende të garantuara, ndërkohë që komuniteti rom ka një vend; komuniteti ashkali një  vend; komuniteti egjiptian një vend; dhe një vend shtesë i jepet komunitetit Rom, Ashkali, ose Egjiptian, që ka numrin më të madh të votave të përgjithshme.

Ndërkohë, komuniteti boshnjak ka tri vende, komuniteti turk dy vende dhe komuniteti goran një vend. Këto 20 vende garantohen nëse numri i vendeve të fituara nga secili komunitet është më i vogël se numri i vendeve të garantuara. Kjo do të thotë që edhe në rast se serbët për shembull nuk kanë fituar vota mjaftueshëm për 10 deputetë, ata do ti kenë gjithsesi këta 10 deputetë si vende të rezervuara.

Ky është edhe thelbi i operacionit Lista Srpska. Duke i pasur të sigurta 10 vendet në parlament, ata kanë përdorur votat e serbëve për përfaqësues të komuniteteve të tjera, për të zgjedhur politikanët e afërt me ta dhe për të arritur të kenë kontrollin e 2/3-tës së votave të pakicave në kuvend. Për shembull, Ujedinjena Zajednica e Adrijana Hoxhiç, e cila kryeson një iniciative që pretendon se përfaqëson boshnjakët, ka fituar me votat e serbëve, duke dëmtuar parti që përfaqësojnë komunitetin boshnjak, por që nuk janë të afërt me serbët.

Hoxhiç nuk ka fituar pothuaj asnjë votë në Pejë dhe Prizren ku ka më shumë boshnjakë,  por ka fituar 87 për qind të votave në zona ku nuk ka, ose ka fare pak boshnjakë, si në zonat me shumicë serbe, në Graçanicë, Partesh, Ranillug dhe veri të Kosovës. Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare/shoqërisë civile të boshnjakëve të Kosovës reaguan ashpër. Në një komunikatë të përbashkët, 48 OJQ të komuniteteve jo-serbe, thanë se nuk i njohin si përfaqësues të tyre deputetët që nuk kanë dalë nga votat e tyre.

 “Një listë që luftoi për një vend të garantuar për boshnjakët mori numrin më të madh të votave në zonat ku nuk ka fare boshnjakë sipas regjistrimit, ose ka shumë pak prej tyre në krahasim me votat e marra. Superioriteti numerik i një komuniteti nuk duhet të përdoret për të shtrembëruar vullnetin elektoral të qytetarëve të një komuniteti.”

Situata është e njëjtë me romët. Romani Inicijativa e përfaqësuar nga Gazmen Salijeviç ka siguruar mijëra vota në zonat e banuara me shumicë serbe. Pas shqetësimeve të ngritura nga Partia Liberale Egjiptiane, mbi dyshimet lidhur me orkestrimin e votave nga “Lista Serbe” në bashkëveprim me “Romani Iniciativa”, Veton Berisha nga PLE, ka theksuar se ky është shembulli më i keq. PLE, e cila ka përfaqësuar prej 8 vjetësh komunitetin egjiptian, I kërkoi KQZ-së të anullonte votat për Romani Inicijativa në të gjitha vendbanimet serbe, në të cilat nuk jeton komuniteti rom.

Përfaqësuesit e komuniteteve pakicë jo-serbe, kanë kërkuar që kryeministri I ardhshëm të gjejë një model dhe mekanizma të ri për të mbrojtur komunitetet jo-shumicë nga sulmet e tilla në vendet e garantuara. Por kjo duket e vështirë të bëhet, duke pasur parasysh dispozitat e Kushtetutës së Kosovës, e cila ka garantuar maksimumin e diskriminimit pozitiv për serbët dhe pakicat e tjera.

Sipas nenit 65, kuvendi i Kosovës mund ta ndryshojë kushtetutën e vendit vetëm duke pasur dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të tij, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve që mbajnë vendet e rezervuara dhe të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.

Po kështu, sipas nenit 81, të quajtur legjislacioni me interes vital, miratimi, ndryshimi apo shfuqizimi i ligjeve të mëposhtme, kërkon votën e shumicës së deputetëve të Kuvendit të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë, si dhe të shumicës së deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që votojnë, të cilët mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e Komuniteteve që nuk janë shumicë.

Në këtë grup ligjesh që kërkojnë 2/3 e votës së pakicave, hyjnë ligjet të cilat ndryshojnë kufijtë e komunave, themelojnë ose shuajnë komuna, përkufizojnë shtrirjen e pushteteve të komunave dhe pjesëmarrjen e tyre në marrëdhëniet ndërkomunale dhe tejkufitare; ligjet të cilat zbatojnë të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, me përjashtim të atyre të përcaktuara me Kushtetutë; ligjet për përdorimin e gjuhëve; ligjet për zgjedhjet lokale; ligjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore; ligjet për liritë fetare ose për marrëveshjet me komunitetet fetare; ligjet për arsimin; ligjet për përdorimin e simboleve, përfshirë simbolet e komuniteteve dhe për festat publike. Për më tepër, asnjë nga ligjet me interes vital, nuk mund t’i nënshtrohet referendumit.

Kushtetuta përcakton gjithashtu në nenin 96 që qeveria duhet të ketë të paktën një ministër nga komuniteti serb dhe një nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë. Nëse qeveria ka më shumë se dymbëdhjetë ministra, atëherë duhet të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet joshumicë në Kosovë. Po kështu, me kushtetutë, duhet të jenë edhe të paktën 2 zëvendësministra nga komuniteti serb i Kosovës dhe dy zëvendësministra nga komunitete të tjera joshumicë. Përsëri, nëse qeveria ka më shumë se dymbëdhjetë ministra, atëherë duhet të ketë edhe një zëvendësministër të tretë, i cili përfaqëson komunitetin serb, dhe një tjetër zëvendësministër, i cili përfaqëson një nga komunitetet e tjera joshumicë në Kosovë.

Edhe mënyra e zgjedhjes së tyre, ka kleçkat e veta. Zgjedhja e këtyre ministrave dhe zëvendësministrave vendoset pas konsultimit me partitë, me koalicionet ose grupet që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë. Nëse caktohen kandidatë jashtë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për këta ministra e zëvendësministra kërkohet miratimi i shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët u përkasin partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin përkatës.

Ky model I diskriminimit pozitiv për pakicat është problematik për Kosovën për dy arsye, pikë së pari pikërisht për shkak të operacionit të Listës Srpska, dhe së dyti, sepse shumica dërrmuese e popullsisë në Kosovë, më shumë se 92 për qind, janë shqiptarë.  Ai do të funksiononte mirë në vende ku ndryshimi numerik midis shumicës dhe pakicës nuk është kaq I madh, siç është rasti I Maqedonisë së Veriut, ku diferenca midis shqiptarëve dhe maqedonasve për sa i përket numrit të popullsisë, është e vogël. Megjithatë, shqiptarët në këtë vend mund të përdorin të drejtën e vetos vetëm kur preken të drejtat e tyre dhe jo për të gjitha ndryshimet kushtetuese, siç është rasti për pakicat në Kosovë.

Në vendin tjetër fqinjë të Kosovës, në Serbi, statusi i pakicave përcaktohet përmes ligji për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare, ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhës dhe alfabetit, ligjit për sistemin arsimor dhe edukimin dhe ligjin për vetëqeverisjen lokale. Serbia ka marrëveshje dypalëshe për mbrojtjen e pakicave me Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Hungarinë dhe Rumaninë, por jo me Kosovën. Problemi më i madh për shqiptarët në Serbi është gjendja në Luginën e Preshevës.

Janë nënshkruar tri marrëveshje politike midis përfaqësuesve shqiptarë të Luginës dhe qeverive të Serbisë, marrëveshja e vitit 2001pas përfundimit të konfliktit, rikonfirmimi i asaj marrëveshjeje në vitin 2009 me prezencën e OSBE-së, dhe në vitin 2013, plani shtatë pikësh, të cilin Qeveria e Serbisë e kishte aprovuar pa asnjë ndryshim. Plani 7 pikësh ishte një document i hartuar nga partitë politike shqiptare për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, por në praktikë nuk ka asnjë lëvizje në drejtim pozitiv. Në fakt, ka ndodhur e kundërta, është mbyllur prokuroria dhe gjykata dhe disa institucione rajonale, duke centralizuar pothuaj gjithçka.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kanë kërkuar që tema e Luginës së Preshevës të jetë pjesë në bisedimet Kosovë-Serbi, duke kërkuar të njëjtat të drejta që gëzojnë serbët në Kosovë, në një formë reciprociteti.

Edhe në Mal të Zi ku jetojnë më shumë se 5 për qind shqiptarë sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, të drejtat e pakicave janë të rregulluara me kushtetutën e vendit të vitit 2007. Neni 97 i kësaj kushtetute rregullon të drejtat e veçanta të pakicave dhe ka gjithashtu ligje për të drejtat dhe liritë e pakicave si dhe ligjin për ndalimin e diskriminimit. Por problemi ekziston në zbatimin e normave kushtetuese e ligjore në praktikë dhe respektimin real të të drejtave të pakicave kombëtare.

Por gjithsesi, për t’iu rikthyer kushtetutës së Kosovës, diskriminimi pozitiv deri në këtë pikë, I paprecedent, është pjesë e paketës Ahtisaari, mbi bazën e të cilit u shpall pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008, dhe është kompromisi I madh I bërë nga politika në Prishtinë. Prekja e kësaj Kushtetute dhe kësaj pakete, veçanërisht në lidhje me pakicat, duket më shumë se e vështirë, pavarësisht nga problemet që shkakton në funksionimin e shtetit dhe institucioneve. /abcnews.al/