Deputeti demokrat Saimir Korreshi i ka kërkuar qeverisë që të mos “luajë me pronën e shqiptarëve” ndërsa fliste nga foltorja e Parlamentit për projektin e Portit të ri të Durrësit. Korreshi, ndër të tjera përsëriti të njëjtin qendrim të mbajtur më herët gjatë seancës nga kryedemokrati Sali Berisha, “për seleksionim të njerëzve.”
Ai tha se në zonë do të mund të hyjnë vetëm “çunat e Londrës” apo ata që do të kenë mundësinë të jetojnë në pallatet aty pranë.
Deputeti demokrat e akuzoi qeverinë se do angazhohet vetëm në fazën e parë që e cilësoi të vjedhjes, e më pas faza e dytë, sipas tij, do të ndërtohet me paratë e shqiptarëve.
“Si mund të jetë nder që të lozet me pronën e shqiptarëve? Keni thënë që do t’i rrijë shtetit shqiptar, nuk i ikën? Por mirë, cili investitor që ka ndërtuar një pallat kthehet pronar i tokës? Kush?
Në të keqen më të madhe ua kanë futur arabët…Minimalisht çdo investitor që ndërton, sot s’ta jep njeri pa 40%. Jo thotë, në fund fare toka do të na rrijë ne. Po në cilin aparatement që privatizoni sot, keni tokë? Në kuotë pjesëmarrje jeni pronarë atje. Si e ka ligji, toka që jepet më shesh ndërtimi, a shitet më? Kush do ta shesë? Kush do ta blejë? Ndaj, nuk duhet të tallemi me shqiptarët…Unë mendoj që do bëni vetëm fazën e parë, atë të vjedhjes. Se faza e dytë bëhet me lekët e shqiptarëve. Me lekët tona do ta zhvendosim portin. Do bëjmë 700 metra plazh, a thua se ne laheshim vetëm në kanal bretkosash dhe na kishte mbetur plazhi i Durrësit. Po nuk erdhe si çunat e Londrës me 500 nuk futesh dot atje, ” u shpreh Korreshi. /abcnews.al/