Në shërbim të bandave, si i çorientonte hetimet ish-shefi i policisë Leonard Palushi

schedule00:01 - 22 Maj, 2022

schedule 00:01 - 22 Maj, 2022

Detaje të reja kanë dalë nga megaoperacioni i SPAK, i kryer ditët e fundit. Mes të ndalurve është edhe Leonard Palushi, ish-shef policie në Elbasan, dhe që deri në ditën e operacionit mbante detyrën e policit në Lezhë.

Raportohet se Palushi bënte “lojë të dyfishtë” duke shitur informacion te grupet kriminale si dhe duke dekonspiruar kështu aksionet e nisura nga policia dhe prokuroria. Sipas SPAK dyshohet se Klevis Kapllanaj ka shfrytëzuar rastin se njihem me Manahasat dhe pasi u pagua nga Erjon Alibej, futi një armë pistolete TT, në servisin e familjes Manhasa që ndaj tyre të ngrihej gabimisht akuza për vrasje. Plan i mirëmenduar por që më pas për shkak te hetimit rezultoi se kishte mungesë provash për fajësinë e Manahasave në krim,  të cilët u liruan dhe morën pafajësinë nga SPAK.

Burime për ABC bëjnë të ditur se Palushi ka dhënë informacionin paraprak, duke pretenduar që ka informacion (me vlerë), për një krim, por në fakt edhe pse ishte vetë në Elbasan, ai nuk shkoi për të verifikuar informacionin për gjetjen e një arme në afërsi të Peqinit.

Në dosjen e prokurorisë të siguruar nga Abcnews.al bëhet me dije sesi ish-shefi ka orientuar gabim hetimet për vrasjen e Emiliano Ramazanit në Elbasan në vitin 2020.

Grupi hetimor ka faktuar lidhjen e Palushit me Erjon Alibej ndër të tjera gjë të cilën ai vet e ka pranuar se kishte njohje me të dhe disa herë e ka takuar Erjonin dhe në banesë duke qenë se ky i fundit ishte me masë sigurie “arrest me burg” për një tjetër vepër penale dhe konkretisht “vrasje të mbetur në tentative”.

Polici ka ndihmuar Alibejn që të fusin në kurth Seit Manhasën me Talo Çelën pasi mendohej se këta dy persona kishin shoqeri me njeri tjetrin. Në dosje sqarohet se me porosi të Erjon Alibej, Nuredin Dumani ka organizuar dhe koordinuar veprimet që arma e krimit e përdorur në vrasjen e shtetasit Emiljano Ramazani të vendosej në një parkim në pronësi të Seit Manhasa, pasi Manhasat ishin shokët e Talos dhe ishin qitësa. Nuredin Dumani, tashmë bashkëpunëtori i drejtësisë ka deklaruar se Alibej donte që të krijonin konflikt midis Manhasave dhe grupit të Talos. Ndërkaq, nga hetimet e kryerja ka rezultuar se Alibej është ndihmuar nga Leonard Palushi, për planin e tij. Zyrtari i lartë i policisë, ka orientuar gabim hetimet, duke përfshirë në ngjarje persona që nuk kishin lidhje.

Burime për ABC bëjnë të ditur se ish shefi i sektorit Leonard Palushi ka ndihmuar Erjon Alibeajn edhe në disa episode të tjera, fakte dhe prova këto të administruara në dosjen e SPAK të cilat nuk janë publikuar ende për arsye hetimore.

Kujtojmë se Leonard Palushi, është shkarkuar nga detyra në vitin 2017, me firmë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së asaj kohe, Haki Çako, nën dyshimet se ka neglizhuar luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve në zonën e Kurbinit.

Kujtojmë se në vitin 2017, Policia e Shtetit pas kapjes së 200 kg drogë në Mat bëri me dije se ka përjashtuar nga radhët e saj disa punonjës të policisë.

Palushi, dëshmitar në vrasjen e kolegut të tij

Megjithatë nuk dihet se si ai arriti të rikthehet në detyrë pas shkarkimit. Një vit më parë, pas një aksioni antidrogë në Ishull-Lezhë, mbeti i vrarë efektivi i antidrogës, Saimir Hoxha, nga 21-vjeçari Aldi Rama.

Prezent në këtë ngjarje ka qenë edhe Leonard Palushi, i cili në dëshminë e tij ka thënë se ai bashkë me kolegun tjetër kanë përfunduar në kanal pasi ka ndodhur krimi.

Ai është shprehur se të tre efektivët i kanë dalë para makinës së Ramës, por ai nuk ka ndaluar, ka vrarë Hoxhën dhe më pas është larguar, duke hedhur dy të tjerët në kanal.

Nuk dihet nëse SPAK-u ka dyshime për Palushin edhe në lidhje me këtë ngjarje, por ajo që duhet sqaruar është se si u kthye në Policinë e Shtetit, një person që dyshohet për lidhje me grupe kriminale./abcnews.al