Tërmeti që goditi vendin mëngjesin e 26 nëntorit shënoi katastrofën më të rëndë natyrore të ndodhur në 40 vitet e fundit.
Dy zonat më të prekura ishin Durrësi dhe Thumana. Ndërkohë, lëkundjet e forta të tërmetit kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në rrethinat përreth si në Tiranë, Laç, Kavajë, Vorë.
Fshati i Bubqit në Fushë-Krujë është një ndër zonat që po ashtu është dëmtuar rëndë nga tërmeti. Njëri prej banorëve është shprehur për abcnews.al se askush nga autoritetet nuk kanë shkuar ti kontaktojnë.
Banesat e tij thuajse është shkatërruar nga tërmeti, duke e bërë të pabanueshme. Mes të tjerash ai rrëfen tmerrin në momentin që ra tërmeti, ndërsa në banesë ishte edhe një foshnjë vetëm 7-ditëshe.
Prej katër ditësh ai dhe familja e tij qendrojnë në serë, ndërsa shprehet se ndihmat janë ndarë sipas partive.
“Mua më ka lindur një nuse para 7 ditëve dhe e kam mbajtur në serë, as një çadër nuk na kanë sjellë. Kanë ardhur njerëzit për ndima dhe na i kanë dhënë sipas partive. Ne na e bëri zoti jo ata, por për popullin nuk kanë bërë gjë, ndimat janë çuar sipas krahut. Është bërë atje sikur është magazinë. Kanë bërë një kamping, por është larg. Nuk mund të shkoj atje. Shtëpinë s’kam për ta lënë vetëm. I kanë ndarë ndihmat pa rregull. Jo se nuk na kanë sjellë. Por vetëm kosovarët e kanë bërë si burrat”, shprehet banori./abcnews.al