Në “San Siro” për të thyer “mallkimin”, “zikaltërit” e Inter kërkojnë triumfin e parë evropian ndaj “kushërinjve”

schedule11:35 - 10 Maj, 2023

schedule 11:35 - 10 Maj, 2023

nga Isildo Musta

Për herë të parë në historinë e klubeve të Milanos, dy “kushërinjtë”, Milan e Inter do të ndeshen 5 herë brenda një sezoni, me 2 përballjet e fundit që do të jenë ato më të veçantat, përballje këto që do të përcaktojnë një nga finalistët e UEFA Champions League, teksa favoritët padyshim priten të jenë “zikaltërit” të cilët deri më tani këtë sezon kanë fituar 2 nga 3 përballjet direkte me skuadrën e Piolit.

Mbrëmjen e sotme, “mitiku” italian, “San Siro” do të presë gjysmë-finalen e parë të kompeticionit më të rëndësishëm për klube në Evropës, me “kuqezinjtë” vendas që do të kërkojnë mbështetjen maksimale nga tifozët e tyre për të mundur “sërish” në Champions, rivalët e tyre historikë.

Me 4 përballje totale mes tyre në Ligën e Kampionëve, Milan ka arritur të fitojë 2 herë dhe 2 sigurojë 2 barazime, duke eleminuar 2 herë “zikaltërit” nga ky kompeticion, fillimisht në sezonin 2002-2003, ku dhe e fitoi më pas kompeticionin në një finale totalisht italiane përballë Juventus e më pas në sezonin 2004-2005, ku sërish arriti finalen, por kësaj here “të kuqtë” e Liverpool nuk i lejuan “kuqezinjtë” të shijonin “veshëllapushen”, me triumfin e fundit të Milan në Evropë, që do të jetë përballë Liverpool, por kësaj here në vitin 2007, në finalen e madhe të Stambollit.

Pas plot 16 vitesh pritje, Milan rikthehet në një gjysmë-finale Champions-i, me “kuqezinjtë” e Stefano Piolit, që kanë arritur të fitojnë plot 7 herë trofeun më të lakmuar evropian, duke u renditur të dytët për nga numri, pas “padronëve” të Real Madrid, që kanë dyfishin e italianëve, kjo dhe për shkak të kolapsit ekonomik dhe organizativ që “djajtë” e Milanos kanë kaluar këto 11 vitet e fundit.

Ashtu si dhe në Serie A, padyshim “protagonistët” absolut të rrugëtimit kaq të gjatë në Champions League, të “kuqezinjve” janë dy, Rafael Leao e Olivier Giroud, me “yllin” portugez që ka kontribuar me 1 gol e 4 asiste në përballjet e deri më tanishme, ndërsa “bomberi” francez ka gjetur plot 5 herë rrugën e rrjetës, si dhe ka kontribuar me 2 asistime për shokët e tij të skuadrës, duke u kthyer kështu lojtarët “kyç” të ekipit në “ëndrrën evropiane”.

Në këtë përballje djemtë e Piolit nuk vijnë në formën e tyre më të mirë, teksa në kampionat kanë arritur të regjistrojnë 2 barazime e 2 fitore në 4 ndeshjet e fundit, duke rrezikuar jo pak kualifikimin e tyre direkt për në fazën e grupeve të Champions League, sezonin e ardhshëm, me shpresën e vetme që është fitimi i trofeut këtë sezon.

Në krahun tjetër, “zikaltërit” e Inter të kërkojnë mbrëmjen e sotme fitoren e parë përballë “kushërinjve” në Evropë, të cilët janë kthyer në një “mace të zezë” për “gjarpërinjtë” e Milanos, me këta të fundit që rikthehen në gjysmë-finalet e kompeticionit 13 vite pas fitimit të “veshëllapushes” në “Santiago Bernabeu”, në vitin 2010, ku përballë kishin “bavarezët” e Bayern Munich.

Në krahasim me rivalët e tyre historikë, djemtë e Simone Inzaghit vijnë si pretendentë në sfidën e sotme, teksa në 5 ndeshjet e fundit kanë regjistruar vetëm fitore, duke mundur ekipe si Lazio, Roma e Juventus, me sfidën ndaj këtyre të fundit, që ishte vendimtare për një vend në finalen e Kupës së Italisë, aty ku “zikaltërit” do të përballen me “violët” e Fiorentina.

Ndryshe nga “kuqezinjtë”, “zikaltërit” nuk e kanë të bazuar lojën e tyre vetëm në 2 lojtarë, me Lautaro Martinez, Edin Dzeko, Romelu Lukaku, Nicolo Barella e Federico Dimarco, të cilët kanë më shumë se 3 kontribuime golash në Champions për fanellën “zikaltër”. Në listën e lartpërmendur nuk duhet lënë pa shtuar as turku, ish-milanist, Hakan Calhanoglu, i cili “praktikisht” i dhuroi Interit kualifikimin për në fazën “play-off” të Ligës së Kampionëve, me 29-vjeçarin që shënoi golin e vetëm në fitoren e madhe, 1 me 0 ndaj spanjollëve të Barcelona.

Një tjetër “lajm i mirë” për tifozët “zikaltër” është dhe rikthimin i dyshes “magjike”, Lu-La, me “shtatlartin” belg që ka shënuar plot 3 herë dhe ka dhuruar 3 asistime në 5 fitoret e fundit për Inter, ku në njërën prej tyre nuk u aktivizua për asnjë minutë, ndërsa “bomberi” argjentinas ka arritur të shënojë plot 5 herë, si dhe të ndihmojë me 2 pasime vendimtare shokët e tij të skuadrës, duke rikonfirmuar edhe një herë dyshen, si ndër më “vrastarët” në Evropë.

Përsa i përket formacioneve në derbin e 307-të të Milanos, tekniku Stefano Pioli pritet të jetë disi në vështirësi mbrëmjen e sotme, me “yllin” e tyre, Rafael Leao që pritet të mungojë në përballjen e parë gjysmë-finale, pas një dëmtimi të pësuar në sfidën e së shtunës ndaj “shqiponjave” të Lazio.

Kështu, Pioli pritet t’i rreshtojë të tijët me formulën 4-2-3-1, ku në portë nuk si të mungojë “magjia” Maignan. Në krahët e mbrojtjes pritet të rreshton Theo Hernandez nga e majta dhe kapiteni Davide Calabria, me qendrën që do të plotësohët nga dyshja Fikayo Tomori-Simon Kjaer. Para tyre në mesfushë pritet të vendosen “shkatërruesi” Sandro Tonali, së bashku me boshnjakun, Rade Krunic.

Për sa i përket krijimit të aksioneve, tekniku italian pritet t’i besojë treshes Saelemakers, Bennacer e Brahim Diaz, vetëm në rast se Leao nuk do të arrijë të rikuperohet në kohë për sfidën e sotme, ndërsa në “majën” e sulmit i vetëm do të jetë “bomberi” i “gjelave” francezë, Olivier Giroud.

Në krahun tjetër, Simone Inzaghi do të vazhdojë të përdorë “formulën” e tij “magjike”, 3-5-2, ku në portë nuk ka se si të mungojë “macja” kamerunase, Andre Onana, i cili ka qenë vendimtar këtë sezon për “zikaltërit”, aq sa ka ngjallur dhe intersimin e shumë “gjigandëve” evropianë, përfshirë këtu dhe “blutë” e Chelsea, që janë të gatshëm të paguajnë deri në 60 milionë euro për 27-vjeçarin.

Tre “shtyllat” e mbrojtjes si zakonisht pritet të jenë Matteo Darmian, Francesco Acerbi dhe Alessandro Bastoni, të cilët këtë sezon kanë treguar se mund të performojnë në nivele shumë të larta. Nga krahët e mesfushës pritet të vijnë Dimarco e Dumfries, të dy potentë dhe me aftësinë për të furnizuar sulmin me pasime fantastike, veçanërisht Dimarco me goditjet dhe pasimet e tij kyçe.

Në qendër të mesfushës disi më i tërhequr pritet të jetë “katalizatori” kroat, Marcelo Brozovic e pak metra para tij dy “arkitektët”, Hakan Calhanoglu e Nicolo Barella, të cilët priten të jenë “motorrët” e mesfushës “zikaltër” mbrëmjen e sotme. Ndërkaq, në “majën” e sulmit pritet rikthimi i dyshes “magjike” në Evropë, Lautaro Martinez-Romelu Lukaku, të cilët janë të gatshëm për një tjetër triumf ndaj “kushërinjve” milanistë.

Tashmë, nuk na mbetet më asgjë për të shtuar përveç se për të pritur orën 21:00, ku nga “mitiku” i Milanos, “San Siro”, arbitri spanjoll Jesus Gil Manzano do të fërshëllejë bilbilit për të njoftuar nisjen e një prej “derbive” më të magjishëm në historinë e futbollit.  /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!