Brenda muajit gusht do të përfundojë ndërhyrja që po bëhet në rrugën e Kombit për hyrjet dhe daljet në autostradë. Në të gjitha këto nyje po vendoset sinjalistika e nevojshme dhe sistemi i ndriçimit duke shmangur në këtë mënyrë edhe aksidentet me pasoja të rënda.
Segmenti i Rrugës së Kombit nga Tuneli deri në Morinë, është kthyer në një kantier ndërtimi.
Kompania koncesionare është drejt përfundimit të hyrje-daljeve në autostradë dhe tre nyjeve kryesore në Kolsh, Kukës qendër- ura gjashtëmetroshe dhe Perbreg.
Investimet u nisën vetëm tre muaj më parë dhe duket se do të mbyllen brenda muajit gusht.
Në nyjën kryesore që devijon trafikun edhe për Fushë Arrëz, Pukë e Shkodër është hedhur shtresa e asfaltit. Inxhinieri i kompanisë Spartak Tumani thotë se rruga e kombit me punimet shtesë që po kryhen do të ketë parametrat e nevojshme.
Në të gjitha nyjet hyrëse e dalëse, do të vendoset sinjalistika e nevojshme përfshirë edhe sistemin e ndriçimit. Tashmë duket se me këto punime do të zgjidhen edhe elementët e munguar të sigurisë rrugore dhe shmangien e aksidenteve të panumërta që kanë ndodhur në këtë aks të rëndësishëm. /ABC News Albania 24/7