Në qendrën shëndetësore të plazhit të Divjakës çdo ditë paraqiten pushues, të cilët kanë shqetësime pas qëndrimit të gjatë në diell ose me probleme të tjera të shëndetit. Mjekët u bëjnë thirrje që të tregojnë kujdes me ekspozimin në plazh sidomos të sëmurëve kronikë.
Kur pushuesit pësojnë dëmtimë ose kanë probleme me shëndetin i drejtohen qendrës shëndetësore të plazhit Divjakë.
“Unë kam ardhur për pushime. Në poliklinikë kam ardhur pas një lëndimi të lehtë që pësova në dorë dhe për ta ndërruar pak fashën”.
Mbi 100 raste në ditë, paraqiten në këtë qendër.
“Raste problematike ka pasur shumë. Dje më konkretisht ka qenë një pacient rreth të 70-ve. Është paraqitur me paralizë faciale dhe paralizë të gjysmës së gjymtyrëve. I dhamë ndihmën e parë. I bëmë EKG-në dhe e referuam në spital. Sot na u paraqit prapë në klinikë”.
Mjekët u kërkojnë pushuesve të tregojnë kujdes të shtuar për shëndetin e tyre.
Ekspozimi për orë të tera në diell, rrit rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, për pushuesit. Më të prekurit janë të sëmurët kronikë.
“Sigurisht edhe dielli është një faktor që ndikon në përkeqësimin e problemeve kardiovaskulare”.
Shqetësimet shëndetësore me të cilat përballen pushuesit gjatë kësaj periudhe jane alergjitë e ndryshme, pickimet nga insektet, helmimet ushqimore dhe djegiet nga dielli.
Nuk përjashtohen edhe rastet e infarktit kardiak, ku një vit me parë dy persona të moshës mbi 60 vjeç humbën jetën pas qëndrimit të gjatë në diell./abcnews.al