Në prag të mbarimit të mandatit, Meta i shkruan letër Kuvendit dhe të gjithë deputetëve: Informim për “Çështjen e Detit” me Greqinë

schedule18:04 - 21 Korrik, 2022

schedule 18:04 - 21 Korrik, 2022

Presidenti Ilir Meta i ka nisur një letër zyrtare informuese Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla dhe të gjithë deputetëve, mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare.

Teksa është në prag të përfundimit të mandatit të tij, Presidenti Ilir Meta, shprehet se uron që çdo deputet ta lexojë me vëmendje, jashtë çdo interesi apo paragjykimi politik, dhe Kuvendi i Shqipërisë në trajtimin e saj të udhëhiqet nga interesi kombëtar, zbatimi i Kushtetutës dhe vullneti i mirë për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje.

“I udhëhequr si gjithmonë nga ndjenja e lartë e përgjegjësisë dhe e bashkëpunimit për çështje madhore, mbetem i hapur për të bashkëpunuar me Kuvendin e Shqipërisë jo vetëm deri në mbrëmjen e datës 24 korrik 2022, por edhe përtej.” shprehet Meta mes të tjerash.

Në letrën informuese Meta shprehet se, megjithëse Shqipëria zyrtarisht është në proces të hapur negociatash me Republikën e Greqisë, Presidenti nuk është informuar zyrtarisht nga Kryeministri se me çfarë akti, Qeveria ka kaluar nga procesi negociator sipas Kushtetutës dhe të drejtës ndërkombëtare, në zhvillime negociatash në nivel politik për këtë çështje, e aq më tepër të deklarohet paraprakisht se cila do të jetë rruga që do të ndiqet.

Në kushte tilla, ligjërisht rezulton se, Kryeministri, apo çdo zyrtar tjetër i Qeverisë nuk është konsultuar, nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me ndonjë Autorizim nga Presidenti i Republikës, sipas detyrimit të qartë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 15/ 2010, për të negociuar apo për të diskutuar me Republikën e Greqisë në emër të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me çështjen e kufizimit të zonave detare, e aq më pak për të vendosur apo dakordësuar nëse kjo çështje do të shkojë për alternativë zgjidhje në ndonjë nga Gjykatat Ndërkombëtare, ndërkohë që palët zyrtarisht janë ende në negociata.

Kujtojmë se sot ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka folur për çështjen e Detit me Shqipërinë në një intervistë për mediat greke. Në fjalën e tij theksoi se mosmarrëveshja do të zgjidhet me vendimin e Gjykatës së Hagës. Ndër të tjera, Dendias sqaroi se vendet kanë shprehur të drejtën për 12 milje në Jon dhe nuk ka asgjë për t’u diskutuar, përveç detajeve teknike që do t’i çojnë palët në Hagë.

Në 20 tetor 2020, Shqipëria dhe Greqia morën vendimin për ta dërguar në Hagë, çështjen e detit. Në vizitën e tij në Tiranë, kryediplomati grek Nikos Dendias, tha se Çështja e ligjit të luftës me Greqinë shumë shpejt do të shkojë drejt zgjidhjes dhe se do të nisin procedurat për abrogimin e ligjit, i cili daton që nga viti 1940. Sipas ministrit të Jashtëm grek, dy vendet duhet të bashkëpunojnë ndërmjet tyre, që pikat historike për abrogimin e tij, të përmbyllen sa më shpejt të jetë e mundur.

LETER KUVENDIT- KUFIZIMI ZONAVE DETARE ME GREQINE 21 KORRIK 2022

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!