Në prag të festës së Fitër Bajramit, vendosen tunelet e dezinfektimit në xhami

schedule15:19 - 23 Maj, 2020

schedule 15:19 - 23 Maj, 2020

Pikërisht në këtë të dielë në të gjithë vendin do të hapen objektet e kultit, të mbyllura për shkak të pandemisë së Covid.

Mesditën e sotme, kryeministri Rama e njoftoi këtë vendim në rrjetet sociale.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e Covid-19 në vendin tonë, njoftoi se namazi i Fitër Bajramit këtë vit do të falet nëpër xhami sipas masave dhe protokollit të publikuar më parë.

Ceremonia qendore e Fitër Bajramit, ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, do të zhvillohet në xhaminë e “Kokonozit” tek Pazari i ri.

Ceremonia do të fillojë në orën 05:30 të mëngjesit me lexim Kurani dhe lutjesh, ndërsa falja do të bëhet në orën 06:00 dhe besimtarët do të udhëhiqen nga kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu.

ABC News pa disa prej xhamive të kryeqytetit, ku vuri re se po bëhen të gjitha përgatitjet dhe po merren masat e sigurisë për të gjithë besimtarët.

Një pjesë e xhamive kanë vendosur edhe tunele dezinfektimi për besimtarët të cilët i drejtohen xhamive për t’u falur në mënyrë sa më të sigurt, duke shmangur kështu edhe çdo mundësi infektimi nga Covid-19. /abcnews.al