Në prag festash diskutohen të tjera kufizime, Tomini apelon: Festoni në shtëpi

schedule15:58 - 11 Dhjetor, 2020

schedule 15:58 - 11 Dhjetor, 2020

Në prag të festave Komiteti Teknik i Ekspertëve të Shëndetësisë po diskuton masa kufizuese për të shmangur grumbullimet për Krishtlindje dhe Vit të Ri.

“ABC” ka mësuar se variantet që po shqyrtohen është afrimi i orës policore dhe zgjatja e pushimeve dimërore për kopshtet dhe shkollat.

Çdo vendim që do të merret pritet të bëhet publik javën e ardhshme ndërkohë shefja e Survejancës dhe Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini apelon për të festuar në familje pasi thotë se koronavirusi në vend po vijon përhapjen me intensitet të lartë.

“Duhet të theksohet që grumbullimet masive, të festave, duhet të minimizohen këtë vit. Nuk duhet të shkojmë ne tek festa, por festa duhet të bijë pranë familjeve tona. Duhet të festojmë ngushtë këtë vit”, tha Tomini.

Ditët e fundit i lartë paraqitet dhe numri i të sëmurëve në repartet e terapive intensive, por dhe humbjeve të jetëve për shkak të koronaviursit.

Mjekja Tomini e shpjegon këtë me hezitimin e pacientëve për të shkuar në kohë në spital.

“Dhëniet e mesazheve të gabuara për të mos kërkuar ndihmë spitalore bëri që një pjesë e popullatës të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos kërkojë ndihmë spitalore edhe kur i rekomandohej që është për trajtim spitalor. Kjo bën që të shkojmë në spital dhe të kërkojmë ndihmë në faza më të agravuara. I bëjmë thirrje popullatës që të dëgjojmë fjalën e mjekëve”, thotë Tomini.

Paralelisht me të prekurit  rritet dhe numri i të shëruarve nga Covid 19.  Por sa të mbrojtur janë ata nga riinfektim prej koronavirusit?

“Ka individë që kanë një mbrojtje të mirë të reflektuar nëpërmjet gjakut apo testeve serologjike dhe ka individë që edhe pse e kanë kaluar me klinikë të lehtë apo të rëndë nuk reflektojnë mbrojte antikorpale, por duhet të theksohet që  një individ që e ka kaluar mbart mbrojtje përkundrejt Covid, pavarësisht që nuk është e reflektuar nga testi serologjik. Duhet të themi që të gjithë ata individë që e kanë kaluar duhet të respektojnë masat mbrojtëse për minimizuar qoftë mbivendosjen e një infeksioni, por sigurisht edhe ndonjë riinfektim”, tha më tej Tomini.

Specialistët aktualisht nuk kanë konfirmuar asnjë rast me grip, por kanë paralajmëruar se mbivendosja me të dhe virozat e stinës mund të rëndojë dhe situatën e koroanvirusit në vend./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!