Në një veprim të rrallë kundër Izraelit, SHBA u ndalon kolonëve ekstremistë të Bregut Perëndimor hyrjen në Amerikë

schedule09:29 - 5 Dhjetor, 2023

schedule 09:29 - 5 Dhjetor, 2023

Në një masë të rrallë ndëshkuese ndaj Izraelit, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi të martën se do t’u ndalojë hyrjen në Amerikë kolonëve hebrenj që u përfshinë në një mori sulmesh ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken njoftoi për këtë masë pas paralajmërimeve ndaj Izraelit javën e kaluar se administrata e Presidentit Joe Biden do të reagonte ndaj këtyre sulmeve. Blinken nuk njoftoi për ndalime individuale të vizave, por zyrtarët deklaruan se ato do të bëhen këtë javë dhe mund të prekin dhjetëra kolonë dhe familjet e tyre.

Vendimi u mor në një moment kritik të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Administrata e Presidentit Biden mbështeti plotësisht Izraelin që kur u sulmua nga Hamasi më 7 tetor, përkundër faktit që kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit po shtohen.

Por javët e fundit, administrata amerikane ka shtuar thirrjet ndaj Izraelit që të ndërmarrë masa për të kufizuar sulmet ndaj civilëve ndërkohë që Izraeli po zgjeron sulmin në pjesën jugore të Gazës me popullatë të dendur.

Shtetet e Bashkuara janë përmbajtur nga kritika e drejtpërdrejt rreth ofensivës. Ata janë shprehur zëshëm kundër dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor dhe dështimit të Izraelit për t’iu përgjigjur thirrjeve të Amerikës për t’i dhënë fund asaj.

“Ia kemi theksuar qeverisë izraelite nevojën që të bëjë më shumë për t’i mbajtur përgjegjës kolonët ekstremistë që kanë kryer sulme të dhunshme ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor,” tha sekretari Blinken përmes një deklarate. “Siç ka deklaruar vazhdimisht Presidenti Biden, ato sulme janë të papranueshme.”

“Sot Departamenti i Shtetit po zbaton një vendim të ri për të kufizuar vizat për individë që besohet se po minojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Bregun Perëndimor, qoftë përmes akteve të dhunës apo përmes veprimeve tjera që padrejtësisht pengojnë qasjen e civilëve ndaj shërbimeve thelbësore dhe nevojave bazike,” deklaroi ai.

Blinken tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi për dhunën e kolonëve ndaj palestinezëve si dhe për sulmet e palestinezëve ndaj izraelitëve në Bregun Perëndimor dhe në Izrael, në veçanti tani që tensionet janë jashtëzakonisht të larta për shkak të konfliktit në Gazë.

“Izraeli dhe Autoriteti Palestinez e kanë detyrim të mbështesin stabilitetin në Bregun Perëndimor,” sipas  Blinken. “Paqendrueshmëria në Bregun Perëndimor lëndon palestinezët dhe izraelitët dhe kërcënon interesat e sigurisë kombëtare të Izraelit.”

Vendimi i të martës u mor vetëm një muaj pasi Izraeli u bë pjesë e programit amerikan që lejon shtetasit e Izraelit të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara pa vizë. Ata që preken nga kjo masë ndëshkuese nuk do të kualifikohen për këtë program dhe atyre që tashmë kanë vizë amerikane, viza do t’iu anulohet.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!