Në kufirin mes dy Dibrave, rruga e Arbrit paralel me rrugën e vjetër të karvaneve

schedule18:30 - 2 Shkurt, 2025

schedule 18:30 - 2 Shkurt, 2025

Jemi nisur nga Tirana drejt pikës kufitare të Bllatës, që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, ose më saktë, dy Dibrat e ndara nga kufiri shtetëror, Dibrën e Madhe dhe Dibrën e Vogël. Ecim në rrugën e Arbërit, e cila kalonte dikur në territorin e shtetit të Arbërit.

Kjo rrugë njihet që në shekullin e parë në kohën e romakëve, por në Mesjetë mori një rëndësi të veçantë, me ndërhyrjen e venedikasve, të cilët e rinovuan duke ndërtuar mure mbrojtëse dhe ura të stilit venecian. Rruga kalohej nga karvanet dhe karrocat e tërhequra nga kuajt. Kjo rrugë shërbente në mënyrë të veçantë për tregtinë me Venedikun, Raguzën, Romën, vendet lindore të Adriatikut.

Në fillim të shekullit të XIII-të, Dhimitri “Princi i madh i Arbrit” garantonte kalim të sigurt në këtë rrugë në tokat e tij, ndërsa në vitin 1429, këtë e garantonte Gjon Kastrioti dhe bijtë e tij. Rruga e Arbrit është përdorur gjerësisht në kohën e Gjon Kastriotit dhe të birit, Gjergjit të madh. Kjo rrugë që kalonte afër kalasë së Petralbës, në Gur të Bardhë dhe lidhte këtë kala të rëndësishme me kalanë e Stelushit, Sfetigradit, Petrelës dhe Krujës. Rruga e Arbërit, rreth 75 kilometra, shkurton në mënyrë të ndjeshme distancat e transportit që lidhin Tiranën dhe portin e Durrësit me Dibrën, Peshkopinë, Matin, Shkupin apo Sofjen. Për dibranët, kjo rrugë është jetike.

Argëtim Muça, Diber e Vogël: “Rruga e Arbrit ndihmon ekonomikisht Dibrën e Madhe”. Ne Peshkopi, banorët flasin më shumë dashuri për qytetin e tyre. “Rehat, qetësi, zhurma s’ka. Peshkopia është nga vendet me te banueshme”. Robert Merdini na thotë me krenari: “Këtu kena lindur, nuk e harrojmë kurrë Peshkopinë”. Dibranët trima identifikohen me këngën e famshme të Hajredin Pashës që i bie Radikës. Është aty ku Drini i Zi bashkon dy Dibrat ndërkohë që Rruga e Arbrit shkon paralel me rrugën e lashtë të karvaneve. Dikur dy Dibrat kishin disavantazh të madh ekonomik ndërsa tani, siç na thonë banorët, nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Xhevat Qoku, Bllate: “Edhe ata ne kurbet si këtu te ne. Niveli është pothuajse aty tani”.

Pika kufitare e Bllatës lidh jo vetëm Shqipërinë dhe Maqedonine e Veriut, por edhe dy Dibrat. Dikur kloni i hekurt ndante dy Dibrat. Nuk mund te kalohej, ndau njerëzit për së gjalli. Skënder Hasa, Bllate: “N’kufi janë vrarë shumë vetë se nuk ka pasur drejtësi”. Në Dibër të Madhe, Argëtim Muça na thotë se bashkëpunimi kulturor midis dy Dirave është shume i mirë dhe se për shkak të rrugës së Arbrit, afërsia me Tiranën ndjehet që tani dhe ka një fluks të madh të shfrytëzimit të aeroportit të Tiranes. Shkupi është 131 km larg dhe për të shkuar në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, nga Dibra duhet të  ecësh në drejtim të Gostivarit, nëpër grykën e ngushtë e të bukur të Radikës, duke vazhduar më tej në drejtim të Tetovës e Shkupit. E gjithë pamja në të dy anët e rrugës, që kur nisesh nga Tirana, e derisa mbërrin në Shkup, përmes dy Dibrave, është nga peizazhet më të bukura që të sheh syri, male, lumenj, kodrina të buta dhe njerëz mikpritës dhe trima, që kanë sfiduar perandoritë e kohës, ashtu siç thuhet në një nga këngët më të njohura për Dibrën dhe dibranët: Hajredin Pasha o po i bjen Radikës. Vallë ku janë o këto Malet e Dibrës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!