Në korridore dhe palestra, më 4 Qershor provimi i parë i maturës

schedule14:32 - 28 Maj, 2018

schedule 14:32 - 28 Maj, 2018

Rreth 35 mijë maturantë në të gjithë vendin më katër Qershor nisin provimet e maturës shtetërore. Për herë të parë, testi do të zhvillohet në palestrat dhe korridoret e shkollave ndryshe nga më parë, kur maturantët i nënshtroheshin në klasa. Ndërsa specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve të martën nisin hartimin e tezave.

Korridoret dhe palestrat e shkollave do të kthehen në klasa të improvizuara. Kjo do të ndodhë për provimet e maturës, të cilat për herë të parë këtë vit do të zhvillohen në mjedise të tilla. Ministria e Arsimit ka nxjerrë këtë udhëzim me synimin për të forcuar administrimin e testit.

“Ministria  po mundohet që në mjediset e provimet të mos ketë më mjedise të vogla dhe aty ku është mundësi, nxënësit të grumbullohen në mjedise të mëdha sepse është më e mund, shumë më e lehtë për t’i monitoruar ata”.

Testi i parë është ai i gjuhës së huaj dhe do të zhvillohet me katër Qershor. Në Agjencinë Kombëtare të Provimeve të martën, specialistët nisin përgatitjet e tezave. Drejtoresha Rezana Vrapi shpjegon detajet.

“Testi sërish i detyruar do të ketë 50 pikë. Do të ketë një grup pyetjesh me alternativa, pra 13 të tilla dhe 12 me zhvillim. Në gjuhën e huaj sikurse në gjuhën shqipe do të ketë një ese”.

Katër ditë pas testit të gjuhës së huaj, maturantët do t’i nënshtrohen atij të gjuhës shqipe dhe letërsisë. Më pas më 13 Qershor të matematikës dhe me 20 Qershor dy provimeve me zgjedhje. Në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen provimeve rreth 35 mijë e 900 maturantë. Ky është vitit i fundit që maturantët do të zhvillojnë 5 provime për të mbyllur shkollën e mesme. Vitin që vjen, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve tregon se matura shtetërore do të ndryshojë.

“Vitin tjetër do t’i nënshtrohen katër provimeve. Tre janë të detyruar dhe një është me zgjedhje. Është zvogëluar ndjeshëm numri i lëndëve midis të cilave ata do të përzgjedhin lëndën me zgjedhje. Ndërsa në maturën e fundit ne kemi 23 të tilla vitin tjetër janë diçka më pak sesa 10”.  

Këtë vit, Ministria e Arsimti po përgatit maturantët e ardhshëm me tipe testesh sipas variantit të ri./abcnews.al