Ka rënë ndjeshëm ritmi i nxënësve që regjistrohen në shkollat profesionale. Në Korçë ku ndodhen pesë shkolla të tilla, janë regjistruar vetëm 250 nxënës dhe kanë mbetur pa plotësuar të gjitha drejtimet e studimit.
Shumë pak nxënës për pesë shkolla profesionale. Në Korçë duket se interesi për një zanat ka rënë. Këtë vit akademik, mbetet i ulët numri i atyre që zgjedhin arsimin profesional. Deri tani, në pesë shkollat e mesme profesionale të qytetit të Korçës, janë regjistruar në vitet e para, rreth 250 nxënës.
Për shkak të frekuentimit të pakët të arsimit profesional, kanë mbetur të paplotësuara të gjitha drejtimet e studimit, që ofrohen në këto shkolla, të cilat vijojnë të konsiderohen, si zgjedhje e fundit për nxënësit, që mbarojnë 9-vjeçaren.
Në shkollën profesionale teknike-ekonomike “Isuf Gjata”, nga pesë drejtime studimi, janë plotësuar me nxënës, vetëm dy prej tyre. Shkollat profesionale, janë një mundësi e mirë punësimi, për nxënësit, që kanë zgjedhur të arsimohen në këto shkolla, prej të cilave, shpresojnë të dalin me një zanat.
“Një nga pikat më të forta të arsimit profesional është kjo që jo vetëm fëmija shkollohet, por merr një profesion dhe ka të sigurt jetesën në të ardhmen”, thotë Tatjana Mero, drejtoreshë e shkollës “Isuf Gjata”.
Ministria e linjës ka urdhëruar që regjistrimi në shkollat e mesme profesionale të vijojë deri në fund të muajit Shtator, kur pritet edhe një valë tjetër nxënësish. Kryesisht, nga ata që nuk kanë mundur të regjistrohen në shkollat e mesme të përgjithshme, ku mesatarja për këtë vit ka qenë mbi 7./abcnews.al