Në kërkim për vrasjen e 19-vjeçarit Alkis Kampanos, dorëzohet 25-vjeçari grek

schedule14:10 - 8 Shkurt, 2022

schedule 14:10 - 8 Shkurt, 2022

Është dorëzuar 25-vjeçari grek i shpallur në kërkim për vrasjen e Alkis Kampanos në Selanik. I riu, emri i të cilit figuron në aktakuzën e 11 personave për masakrën e Alkis Kampanos, ka shkuar bashku me avokatin e tij në polici.

25-vjeçari pritet të transferohet nga prokuroria në qendrën e paraburgimit të Sigurimit të Selanikut derisa të dalë përpara organeve të drejtësisë. I riu duket se është i “pastër” pasi nuk është arrestuar më parë. Pas ngjarjes ai u zhduk dhe nuk u mor më vesh gjë për të deri në momentin e dorëzimit.

Kujtojmë se për ngjarjen është shpallur në kërkim edhe një shqiptar Roxhers Demirazi. Ai është duke u kërkuar nga Greqia si i dyshuar për vrasjen e 19-vjeçarit Kampanos dhe dyshohet se fshihet tek të afërmit në Korçë.

Demirazi ka hyrë në Shqipëri në mënyrë legale nga pika kufitare e Kapshticës në datën 2 shkurt, disa orë pas ngjarjes. Policia shqiptare edhe pse ende nuk ka një kërkesë zyrtare nga Greqia për arrestimin e tij ka kryer kontrolle paraprake, por deri më tani nuk ka mundur që të bjerë në gjurmët e tij. I riu kaloi normalisht nga Kapshticë me pasaportën e tij shqiptare, pasi nuk ishte në kërkim deri në mëngjesin e datës 2 shkurt.

Për vrasjen e 19-vjeçarit Alkis Kampanos pas ndeshjes mes AEK-PAOK janë arrestuar 9 të rinj nga 19-23 vjeç. Në mesin e tyre është edhe një shqiptar kurse dy të tjerë janë në kërkim. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!