Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, iu drejtua të enjten Parlamentit Evropian, ku deklaroi se Kanadaja dhe Bashkimi Evropian duhet ta thellojnë bashkëpunimin përballë sfidave të reja gjeopolitike, ekonomike dhe të sigurisë.
Carney tha se Kanadaja dhe BE-ja ndajnë vlera të përbashkëta, përfshirë sundimin e ligjit, demokracinë, dinjitetin njerëzor dhe liritë individuale. Sipas tij, të dyja palët duhet të forcojnë sovranitetin e tyre përmes bashkëpunimit në fusha strategjike.
Duke iu referuar propozimit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që Kanadaja të bëhet anëtarja e parë “e asociuar” e BE-së, Carney tha se Ottawa e mirëpret këtë ambicie dhe është e gatshme ta zhvillojë së bashku me Evropën, shkruan euronews.
Ai përmendi mineralet kritike, energjinë, teknologjinë dhe sigurinë ekonomike si fusha ku bashkëpunimi mund të zgjerohet. Sipas tij, Kanadaja mund të kontribuojë në sigurinë energjetike të Evropës përmes furnizimit me LNG dhe hidrogjen, ndërsa mund të përfitojë nga teknologjitë evropiane të energjisë së pastër.
Carney propozoi gjithashtu forcimin e lidhjeve mes qytetarëve, veçanërisht të rinjve, përmes mundësive për të studiuar, punuar dhe jetuar në të dyja anët e Atlantikut. Ai përmendi pjesëmarrjen e Kanadasë në programin Erasmus+ si një mundësi për zgjerimin e këtyre lidhjeve.
“Evropa dhe Kanadaja së bashku janë edhe më të forta”, tha Carney, duke theksuar se partneriteti nuk synon krijimin e një blloku rival, por forcimin e qëndrueshmërisë dhe sovranitetit të të dyja palëve.

