Pep Guardiola është padyshim një nga trajnerët më të mirë të dekadave të fundit dhe si i tillë trajnon skuadrat më të mira, që në Itali për momentin nuk janë. Trajneri i Manchester Cityt në një intervistë të gjatë për mediet angleze flet për raportin dhe personalitetin unik të “Bishtalecit” Roberto Baggio dhe tregon se të paktën tani Italinë nuk e ka në plane.
“Johan Cruijff gjithmonë fliste shumë për Baggion. Ai donte ta shihte atë në një ligë teknike siç ishte La Liga dhe ai pyeste veten nëse do të adaptohej në futbollin spanjoll. Baggio mund të kishte luajtur kudo, por në ato vite, ishte e pamundur ta bindje atë të largohej nga Seria A. Lojtarët më të mirë ishin në Itali dhe të gjithë donin të luanin atje.
Unë doja të luaja jashtë vendit dhe kur drejtorët e Brescias, Mauro Pederzoli dhe Gianluca Nanni erdhën të më takonin në Barcelonë, nuk u desh shumë kohë që unë të pranoja. Ata më folën për Baggion, Toni, Calori, Petruzzi dhe binjakët Filippini. Mendova se nëse Baggio është atje, kjo do të thotë që ata e kanë seriozisht. Dhe kisha të drejtë.
Baggio ishte futbollisti më i mirë dhe i trajtoi të gjithë në të njëjtën mënyrë, nga presidenti te punëtorët e magazinës. Ne po jetojmë në një shoqëri ku të gjithë presin të njihen nga njerëzit që janë larg nesh, në vend se të dhen nga ata që janë afër.
Baggio është e kundërta, ai preferon dashurinë e të afërmve të tij sesa të dalë në skenë në qendër. Të gjithë ne njerëzit jetojmë për atë që ndodh jashtë, duke harruar veten tonë.
Ai preferon jetën e tij të brendshme, familjen e tij, Budizmin dhe shijimin e gjërave të vogla. Kur të jem 72 vjeç dhe të vij në Itali për të drejtuar ndonjë skuadër, do t’i kërkoj të bëhet ndihmësi im. Do të përpiqem ta kthej në botën e futbollit. Megjithëse ju nuk mund ta bindni Baggio, ai vendos”, tregon Guardiola. /abcnews.al