Kryeministri Edi Rama, në kuadër të turit që po bën në bashkitë e vendit, ka vizituar mëngjesin e së premtes Tropojën.
Kryeministri shoqërohet nga ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca dhe deputeti Pandeli Majko. Në takimin me blegtorë, fermerë e artizanë të Tropojës një nga të pranishmit ngriti problemin e regjistrimit të pronës.
Për këtë rast, Majko u shpreh se qeveria ka nisur bisedimet dhe kreu i Kadastrës Artan Lame u ka premtuar që projekti pilot për qarkun do të nisë nga Tropoja.
Po ashtu, deputeti socialist tha se brenda muajit pritet të firmoset marrëveshja me qeverinë e Kosovës për lëvizjen ndërkufitare dhe për heqjen e kufizimit për kalimin mallrave me vlerë jo më shumë se 300 euro në kufi.
“Në pikat kufitare, nuk mund të kalojnë më shumë se 300 euro. Brenda muajit nëntor do të firmoset marrëveshja me qeverinë e Kosovës për lëvizjen ndërkufitare. Duhet t’i biesh nga dogana e Kukësit për të kaluar një mall. Ndërkohë që Tropoja qendrën e ka në Gjakovë. Puna do të japë rezultat të pritshëm për komunitetin që barriera 300 euro të hiqet. Fjala kontrabandë nuk ka kuptim kur në të dyja anët ndodhën njerëzit tanë. Një projekt i rëndësishëm është rruga që lidh Tropojën me Plavën dhe Gucinë.”
Majko u shpreh se një nga arsyet që socialistët po shkojnë qytet më qytet është që të “ecin me këmbë në tokë e të shohin realitetin në qytete.” /abcnews.al/