Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve organizoi dje rreth orës 22.50 një operacion në IEVP Fier pas informacioneve të marra në rrugë operative se brenda institucionit mund të kishte depërtuar lëndë narkotike.
Aksioni është drejtuar nga Drejtori i Policisë së Burgjeve në krye të dy grupeve të forcave operacionale. Pas kontrollit të disa dhomave banimi dhe ambienteve të përbashkëta u gjetën nëntë doza të dyshuara si lëndë narkotike. 13 doza të tjera u gjetën fshehur në neonin e tavanit në palestër.
Gjatë kontrollit, u gjet edhe një sharrë e improvizuar me kokën e një makine qethëse si dhe një televizor “Obot” me fijet jashtë për lidhje me kufje, dyshuar si mjet komunikimi. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme SHKKB.
/abcnews.al