Në Bruksel mbështesin synimim e Kosovës për anëtarësim në KE, s’ka rrugë të shpejtë për BE

schedule17:26 - 22 Prill, 2022

schedule 17:26 - 22 Prill, 2022

Draft-raporti i Komisionit për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian i cili pritet të miratohet më pas në këtë institucion të BE-së thotë se përkrahet fuqishëm qëllimi i Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kritikohet moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës dhe bëhet thirrje që të zbatohet Marrëveshja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sikur në çdo raport tjetër, i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që t’i liberalizojë vizat për Kosovën pasi kriteret nga ana e Kosovës janë plotësuar që nga viti 2018 transmeton Gazeta Express.

Poashtu i bëhet thirrje Bashkimit Evropian që të fuqizojë përkrahjen dhe bashkëpunimin me Kosovën për t’i luftuar aktivitetet hibride malinje që vijnë nga Rusia dhe Kina.

Më tej draft-raporti thekson se përdorimi i gjuhës diskredituese ndaj gazetarëve është i papranueshëm.

“Nënvizon se mediet e lira janë njëra nga shtyllat thelbësore të demokracisë dhe se gazetarët duhet të jenë të mbrojtur nga presioni politik; thekson se përdorimi i gjuhës diskredituese kundër gazetarëve është i papranueshëm”, thuhet ndër të tjera në draft-raportin e PE-së.

Në raport përmendet edhe dështimi që Kuvendi i Kosovës ta miratojë draft Kodin Civil, i cili do të sillte progresin e shumë nevojshëm për qytetarët e Kosovës dhe do të kishte ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik të Kosovës

Qeverisë në anën tjetër i kërkohet ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për parcelat e tokës në Manastirin e Deçanit dhe shprehet shqetësim që vendimi i Kushtetueses ka mbetur i pazbatuar e që përbën cenim të angazhimit të qeverisë për rend dhe ligj dhe respektimin e një gjyqësori të pavarur.

Përmendet edhe qëllimi i Kosovës që të aplikojë për statusin e vendit kandidat të BE-së gjatë këtij viti (2022), por që theksohet se për një proces të tillë s’do të ketë procedura të përshpejtuara dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i nevojshëm që Kosova të përparojë në rrugën e saj evropiane.

/Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!