Në ‘betejën’ mes Kosovës dhe Shqipërisë, i pari shitet Presidenti

schedule13:10 - 17 Qershor, 2023

schedule 13:10 - 17 Qershor, 2023

Nga Frrok Çupi

Dje, në një forum të liqenit të Prespës në Maqedoninë e Veriut, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, i shtoi dozat e mbështetjes ajrore ndaj Albin Kurtit në Prishtinë.

Albini, po dje, e përkëdheli Bajramin, duke i thënë se ‘ti je i miri në Shqipëri, Rama është i keq’. Fjalë për fjalë iu ankua presidentit të zgjedhur nga Edi Rama se ‘Edi Rama anuloi mbledhjen e përbashkët të qeverive’. Bajrami e pa në dritë të syrit Albinin, dhe iu bë sikur të dy burrat ishin të mëdhenjtë e rajonit: Njëri Skënderbeu dhe tjetri Aleksandri i Madh.

Bajrami nuk e mori mundimin t’i thoshte ‘O vëlla, punë qeverie kjo e unë nuk di në këto punë, a ke ndonjë gjë për zyrën e presidencës?’. Jo, veçse iu ujëzuan pak sytë nga madhështia, dhe kaq ishte.

Që aty presidenti Begaj nisi të rekrutohet nga një burrë tjetër i shkurtë, Albin Kurti. Fatkeqësisht, shumicën e presidentëve të vendit i kemi pasur të rekrutuar nga agjencitë në veri të vendit tonë, duke nisur nga Enver Hoxha te Sali Berisha.

Sot, në forumin e Liqenit, Begaj mbajti një diskurs, ku në vend që të krihte vetullat, nxori sytë.
Kjo ishte hera e dytë. Herën e parë presidenti foli që nga Tirana dhe tha një gjë që nuk tha asgjë, po për Kosovën e Kurtit.
Pak ditë më parë presidenti Begaj deklaroi se ‘Kosova është krijuar si shtet dhe nuk do të shpërbëhet e të bjerë në dorë të Serbisë kurrë më’.

Se kush ia kërkoi këtë formulim idiot, askush nuk e di. Këta presidentë që nuk dinë të thonë gjë, po pse flasin? Që Kosova është shtet më vete, Republikë, e pavarur.., etj, këtë e dinë edhe pulat e Rogozhinës. Por ngjarjet dramatike të krijuara nga Kurti&Vucic në Veri të Kosovës, të gjitha kundër Perëndimit…, këtë kush e tëhollon vallë?!
Presidenti na humbi një minutë kohë.

Deklarata e parë e Begaj e kishte bërë Kurtin me fletë, dhe i avitet në Forumin e Liqenit. Aty Begaj u ligështua nga madhështia.
Sapo mbaroi takimin me Kurtin, doli në foltore dhe deklaroi një gjë jo të ligësht- si e para- por një gjë të rrezikshme. Ai u ngrit e tha: ‘Vendet e rajonit anëtare në NATO, mos lejojnë provokimet që destabilizojnë Kosovën!’

Sulmi i Begaj u drejtua kundër Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Të vetmet fuqi të botës që po ‘provokojnë’ Kosovën dhe rajonin me qëllim që të ecë për para, të formulojë paqe e bashkëjetesë të mirë…, të vetmet fuqi janë SHBA dhe BE.
Begaj u shtua në grupin e zjarrit të Kurtit kundër Perëndimit. ‘Lugën e çorbës’ e kishte servirur Kurti një natë më parë.
Pas kësaj bëhet një pyetje edhe më e thjeshtë:

Nëse Kurti u sulet edhe kufijve të Shqipërisë, edhe ekonomisë së rajonit dhe të Shqipërisë, edhe paqes në Shqipëri.., vallë çfarë do të bëjë presidenti i Shqipërisë? Do të mbajë anën e Kurtit?
Me sa duket kjo situatë nuk është aq surrealiste, por surrealiste duket ajo çfarë po bën presidenti kundër interesave të atdheut të vet.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!