“Në afërsi të Korçës ka dy-tre bomba ekologjike” (Video)

schedule18:17 - 27 Qershor, 2019

schedule 18:17 - 27 Qershor, 2019

Korça ka në afërsi të saj dy-tre bomba ekologjike për të cilat nuk flet askush. Kështu u shpreh këtë të enjte kandidati i Bindjes Demokratike për kryetar bashkie atje, Leonard Olli.

Ai ishte i ftuar në studion e ABC News përballë gazetares Juli Xhokaxhi ku theksoi se Korça është qyteti më i ndotur pas Tiranës. Ndërkohë si bomba ekologjike renditi edhe burgun e Drenovës, por edhe faktin që kurora e gjelbër e qytetit juglindor është zhdukur.

“A e dini ju sot që Korça është qyteti më i ndotur pas Tiranës. Mendoni se merrni ajër të pastër dhe sidomos ditëve të Krishtlindjeve ta dini që merrni ajrin më të ndotur duke shkaktuar dëm të pallogaritshëm në shëndetin e njerëzve. A e dini ju që në afërsi të Korçës ka dy-tre bomba ekologjike që nuk flet askush. Burgu i Drenovës që është në një afërsi 6 kilometra nga qyteti. A e dini që është i paintegruar në sistemin e ujërave të zeza? A e dini që sistemi i ujërave të zeza të burgut të Korçës sipas ekspertëve kalon në rrjedhje të lirë në të gjithë basenin ujor dhe shkon shumë pranë Turanit që është baseni kryesor që furnizon me ujë të pijshëm qytetin. Kush ka bërë një analizë në raport me  këtë? Kush ka bërë një studim në raport me këtë? Sa herë është matur cilësia e ajrit në Korçë? Po fakti që kurora e gjelbër e qytetit është denatyruar komplet. Fakti që pjesa jugperëndimore është lënë në mëshirë të fatit. E kam parë me sytë e mi, por edhe me kamera, edhe e fotografuar. Korça përtej fasadave është shumë herë më e madhe”, tha Olli.

Kandidati i Bindjes Demokratike deklaroi gjithashtu se ka gjetur një vendim të Këshillit Bashkiak të Korçës, në të cilën këshilltarët pa kryer asnjë tender, kishin bërë një vizitë 3 ditore në Korfuz me paratë e qytetarëve. Ai theksoi se edhe pse ka pasur investime në qytet, ato kanë qenë sa për fasadë pasi nuk kanë sjellë rritje të ekonomisë.

“E dini çfarë kam gjetur në një vendim të Këshillit Bashkiak? Vizitën e 32 këshilltarëve në Korfuz. Se ashtu ishte një punë dhe fondet nuk ishin bërë me tenderim që vizita të tenderohej nga agjencitë turistike, por ishte përcaktuar një element X nga ana e financierëve dhe 32 këshilltarë kishin kaluar 3 ditë të bukura në Korfuz. Jo me lekët e tyre ama, me lekët e bashkisë. Epo janë lekët e korçarëve ata. Nuk e mohoj pjesën e fasadës, por është një pjesë që nuk ka prodhuar asgjë për qytetin, pra investimet nuk kanë sjellë  rritje të ekonomisë për qytetin”, theksoi Olli./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!