Në 4 muaj mbi 80 efektivë nën akuzë për shpërdorim detyre, Tirana me numrin më të lartë

schedule16:30 - 26 Maj, 2021

schedule 16:30 - 26 Maj, 2021

Nga Xhensila Kodra

Në 4 muaj e parë të këtij viti, mbi 80 efektivë policie në të gjithë vendin janë arrestuar dhe proceduar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Numrin më të lartë të tyre e mban kryeqyteti, duke u pasuar nga Shkodra, Vlora, Elbasani dhe Durrësi. Aktualisht, ata vijojnë të jenë të pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve.

Kryesisht, efektivët e hetuar për këtë vepër penale janë të akuzuar si të përfshirë në trafikun e drogës, apo nuk kanë ushtruar kontroll të imtësishëm për sekuestrimin e parcekave me kanabis.

Ndërsa një tjetër kategori efektivësh po hetohen për ndihmën që u kanë dhënë autorëve për prerjen e paligjshme të pyjeve.

Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, u arrestuan dhe proceduan 102 efektivë në të gjithë vendin vetëm për shpërdorim detyre.

Ndërsa gjatë 2020-ës numri i policëve të proceduar ishte 381.

Rasti më i fundit ishte pezullimi nga detyra i agjentit të antidrogës në Durrës, Edvin Sinanit.

Ai po hetohet si pjesë e një grupi që merret me shpërndarjen e drogës në doza të vogla në këtë qytet.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!