Në 3 muaj 5 mijë klandestinë, Nano urdhër vartësve: Forconi kontrollin në kufirin e gjelbër

schedule15:49 - 23 Dhjetor, 2021

schedule 15:49 - 23 Dhjetor, 2021

Nga Xhensila Kodra

Numri i lartë i klandestinëve që hyjnë në vendin tonë për të kaluar më pas ilegalisht drejt vendeve të BE-së, ka bërë që drejtori i Policisë Gledis Nano t’u japë urdhër të prerë vartësve të tij në drejtoritë vendore në jug dhe juglindje të vendit që të rinisin kontrollet në kufirin e gjelbër.

Kryesisht, bëhet fjalë për qarqet në Gjirokastër e në Korçë, ku edhe numri i emigrantëve të paligjshëm është më i lartë.


Nano ka kërkuar angazhim maksimal në kontrollin e kufirit dhe ndalimin e çdo emigranti të jashtëligjshëm që tenton të futet në vendin tonë.

ABC mëson se vetëm gjatë tre muajt e fundit janë ndaluar rreth 5 mijë klandestinë.

Të huajt e parregullt që kapen në vendin tonë janë kryesisht nga Siria e Afganistani, si dhe vende të tjera të Lindjes që janë në zonë lufte.

Referuar të dhënave mësohet se 50 % e tyre kanë tentuar disa herë të futen në Shqipëri nëpërmjet Greqisë, ndërsa vetëm 5% e tyre që janë edhe familjarë kërkojnë azil në vendin tonë. /Abcnews.al