Shqipëria është pranë Bashkimit Europian. Nga Tirana, eurodeputeti Andreas Schieder, tha se ka sinjale pozitive nga Brukseli për reformat e ndërmarra nga vendi ynë ndërsa u shpreh optimist për hapjen e grupkapitullit të fundit “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni” brenda muajit nëntor, çka do të përmbyllte procesin teknik të çeljes së kapitujve të anëtarësimit.
“Nga ana teknike ka mundësi që në nëntor të hapet kapitulli i fundit, që do të thotë Shqipëria ti ketë hapur dhe të jetë duke negociuar të gjithë kapitujt dhe në 2026 të jetë viti ku kapitujt të mbyllen njëri pas tjetrit. Ky është një proces shumë strikt, ne shohim nëse janë përmbushur kushtet. Mesa ndoqa, kam besim që vitin e ardhshëm shumica e kapitujve do të mbyllen. Që do të thotë në 2027 të kemi mundësinë që të gjithë kapitujt të mbyllen”, u shpreh Schieder.
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian vlerësoi reformat e ndërmarrja me në krye atë në drejtësi, ndërsa theksoi se vendi ynë ka zgjedhur mënyrën më radikale për reformimin e sistemit me vetingun. Ai foli me nota pozitive për punën e SPAK.
“SPAK është komplet i pavarur. Më i pavarur se institucionet e tjera të ngjashme në vendet e BE. Ka një nivel të lartë pavarësie, kjo shkakton shumë diskutime. Kam dëgjuar kritika nga disa nën hetim nga SPAK që e kritikojnë, që thonë se duhet të hetojë më shumë nga palët e tjera, partitë e tjera. Nuk është puna jonë të gjykojmë çështjet, prandaj kemi eksperte, prokurorë e gjyqtarë. Duhet t’ua lëmë atyre të bëjnë punën”, tha raportuesi për Shqipërinë në PE.
Eurodeputeti foli edhe për dallimet mes palëve politike, të cilëve u bëri thirrje, që të paktën për integrimin të lenë pas mosmarrëveshjet.
“Thirrja ime për çdo politikan shqiptar është: punoni më mirë së bashku. është e rëndësishme që të gjitha partitë që mbështesin integrimin europian të punojnë së bashku për këtë qëllim, duke zbatuar sa më shumë që të jetë e mundur ligjet dhe standardet europiane, pavarësisht dallimeve ideologjike apo elektoratit që përfaqësojnë”, shtoi Schieder.
Një mesazh e kishte edhe për zgjedhjet e 11 majit, kryesisht për opozitën.
“Sinqerisht kur shoh zgjedhjet e fundit në Shqipëri, nëse janë lokale apo parlamentare, janë të njëjtët njerëz që thonë të njëjtat gjëra për çfarëdo lloj zgjedhjesh. Ka një lloj tendence në politikën shqiptare që t’i bëjnë gjërat më dramatike seç duhet. Disa përdorin fjalë për zgjedhjet që nuk i shikon fare në raport, kam parasysh ata që i bëjnë më dramatike seç duhet. Dhe iu them shikoni dhe lexoni raportin me kujdes”, tha më tej ai.
/abcnews.al/

