Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë në Prishtinë, se në vitin 2027 do të mbyllim negociatat për integrimin në Bashkimin Europian.
Ai ka theksuar se Shqipëria tani është , epiqendra e momenteve historike europiane, ndërkohë dikur konsiderohej ‘delja e zezë’ nga të gjithë.
Sakaq, Rama ka shtuar se më 16 maj do të mbahet Samiti i Komunitetit Europian në Tiranë, ku do jenë pjesëmarrës lidera nga e gjitha bota.
“Përshtypjet e misionit ishin të jashtëzakonshme dhe thjesht të paimagjinueshme, deri pa u ndërtuar gjithë sa është ndërtuar këto dhjetë vite. Dhe sot ne presim me besim që në Samitin e Hagës vitin e ardhshëm, Shqipëria të shpallet zyrtarisht vendi mikpritës i NATO-s në vitin 2027.
2027 është edhe viti i objektivit historik, të përcaktuar në planin tonë të përbashkët strategjik me Komisionin Europian, për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në BE dhe për t’i hapur rrugë procesit dyvjeçar të ratifikimeve në parlamentet e vendeve anëtare, të cilat do të votojnë hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, si anëtare me të drejta të plota në vitin 2030. Edhe kjo, një ngjitje e paimagjinueshme drejt majës që deri 10 vjet më parë nuk shihej dot as me dylbi, ndërsa Shqipëria ishte një dele gjysëm e zezë e gjysëm gri, të cilën nuk e merrte seriozisht askush, jashtë kufijve të saj.
Vitin e ardhshëm, në 16 maj, Samiti i Komunitetit Politik Europian do të mbahet në Tiranë, ku do të mikpresim udhëheqësit e 700 milionë banorëve të hapësirës demokratike të kontinentit tonë, nga Londra në Ankara, nga Kievi në Lisbonë e nga Helsinki në Prishtinë e deri në Baku dhe Yerevan. Kështu Shqipëria, do të jetë përsëri, epiqendra e një momenti të rëndësishëm të jetës politike europiane dhe çka më mbush me energji, besim e frymëzim, është fakti se tanimë nuk jemi figurantët e dikurshëm të fotografive e familjare të bashkësisë ndërkombëtare, po jemi anëtarë aktivë e të respektuar të saj, me një rol sa të vetëdijshëm për përmasën e për peshën modeste të vendit tonë në arenën e madhe të politikës europiane, aq edhe të rëndësishëm e përcaktues për rajonin tonë, i cili sot më shumë se asnjëherë tjetër, ka një domethënie të posaçme për Europën e nesërme”, tha ndër të tjera Rama./abcnews.al